IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale

TEHERAN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Disa shpërthime u raportuan sot në pjesë të ndryshme të Iranit duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në rajon.
Në qytetin portual Bandar Abbas, një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, njoftoi agjencia e lajmeve “Tasnim”, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).
Dëshmitarë okularë raportuan gjithashtu për të paktën një shpërthim pranë kryeqytetit Teheran, megjithëse detaje të mëtejshme nuk janë bërë ende publike.
Në jugperëndim të Iranit, portali online ”Nur News” bëri të ditur, duke cituar shefin e zjarrfikësve në qytetin Ahvaz, se një shpërthim gazi atje shkaktoi vdekjen e katër personave.
Agjencia “Tasnim” hodhi poshtë thashethemet se shpërthimi në Bandar Abbas kishte qenë një tentativë sulmi ndaj komandantit të marinës së IRGC-së, Alireza Tangsiri.
Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një fotografi që tregon fasadën pjesërisht të shkatërruar të një ndërtese shumëkatëshe banimi, duke theksuar se shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë.
Ngjarjet vijnë në prag të nisjes së një manovre detare triditore të Gardës Revolucionare, ku pritet të marrin pjesë edhe Kina dhe Rusia.
Ky mision zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka dislokuar një flotë ushtarake, përfshirë aeroplanmbajtëse, në rajon, ndërsa më herët ka kërcënuar udhëheqjen iraniane me ndërhyrje pas shtypjes së ashpër të protestave nga regjimi iranian./ /Ad.Ab./ a.jor.