ITALI – Kisha e Romës mbulon fytyrën e engjëllit që i ngjante Melonit

ROMË, 4 shkurt /ATSH-DPA/- Kisha e Romës ka mbuluar me një shtresë të re boje, fytyrën e një engjëlli – pas debatit të ashpër publik dhe një rritjeje të kuriozitetit, lidhur me ngjashmërine e tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Afresku, i vendosur në një kapelë anësore të Bazilikës së Shën Lorencit në Lucina, i ishte nënshtruar së fundmi një restaurimi – pas të cilit një engjëll shfaqte tipare të ngjashme me udhëheqësen e krahut të djathtë.
Në pikturë, engjëlli mban në duar një hartë që përshkruan konturet gjeografike të Italisë.
Restaurimi i engjëllit u krye nga vullnetari 83-vjeçar i kishës Bruno Valentinetti, individi përgjegjës për ndryshimet moderne.
Në një intervistë për “La Repubblica”, Valentinetti konfirmoi se e kishte mbuluar fytyrën e engjëllit me bojë duke ndjekur udhëzimet e Vatikanit.
Afresku ishte bërë një magnet për vizitorët në kryeqytetin italian që nga fundjava e kaluar, pasi fytyra e re ee ngjëllit tregonte një ngjashmëri me atë të Meloni.
Çështja arrin te papa
Daniele Micheletti, prifti i famullisë, konfirmoi se fytyra e engjëllit ishte rilyer me një shtresë të re boje.
Dioqeza e Romës tha më herët se do të merrej një vendim “në nivelin më të lartë”. Të gjitha kishat në Romë janë nën autoritetin e papa Leone XIV.
Imazhi origjinal do të restaurohet
Valentinetti, tha se ngjashmëria ishte e qëllimshme, duke pranuar më në fund të vërtetën për “La Repubblica”.
“Në rregull, ishte Meloni”, tha ai, megjithëse pretendoi se ngjashmëria ishte ende e bazuar në pikturën paraprake.
Aktualisht, pritet të fillojë puna për një restaurim profesional për ta rikthyer afreskun në gjendjen e tij origjinale. //a.i/