ITALI – Vidhen tre piktura të Renoir, Cézanne dhe Matisse nga koleksioni i Fondacionit “Magnani‑Rocca” në Parma

ROMË, 29 mars /ATSH-ANSA/- Tre vepra arti me vlerë miliona euro janë vjedhur nga koleksioni i Fondacionit “Magnani‑Rocca” në Mamiano di Traversetolo, në Parma.
Një grup hajdutësh profesionistë ka vjedhur gjatë natës midis 22 dhe 23 marsit tre piktura të famshme nga koleksioni i Fondacionit Magnani‑Rocca, duke hyrë në “Villa dei Capolavori”.
Veprat e vjedhura janë:
“Les Poissons” – pikturë me vaj në telajo e punuar nga francezi Pierre‑Auguste Renoir (afër fundit të jetës artistike), një nga veprat e rralla të impresionizmit në një koleksion permanent italian.
“Natura morta con ciliegie” nga Paul Cézanne, e realizuar rreth vitit 1890.
“Odalisca sulla terrazza” – e punuar nga Henri Matisse, në vitin 1922.
Fondacioni e ka përshkruar aktin si të strukturuar dhe të organizuar profesionalisht – duke treguar se vjedhja është realizuar në më pak se tre minuta, me autorë që dyshohet se kishin mbuluar fytyrat.
Karabinierët e Parmës janë vënë në veprim për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa po analizohen filmimet e sistemit të sigurisë.
Fondacioni “Magnani‑Rocca” është një nga institucionet private më të njohura të artit në Itali, me një koleksion të gjerë pikturash dhe skulpturash, që përfshin veprat e emrave si Tiziano, Dürer, Rubens, Goya, Monet, Renoir, Cézanne, Morandi dhe të tjerë. //a.i/