E Martë, 3 Nëntor 2026

IZRAEL – Mijëra vetë protestojnë sërish në Tel Aviv për lirimin e pengjeve

TEL AVIV, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Mijëra persona protestuan në Tel Aviv duke kërkuar një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen nga grupi islamik Hamas.

Gjatë tubimit, Or Levy, i cili ka qenë vetë peng në Rripin e Gazës për 491 ditë, iu drejtua me një apel presidentit amerikan Donald Trump.

“Ju lutem, përdorni çdo mjet, çdo ndikim që keni, për t’i sjellë të gjithë në shtëpi, miqtë e mi, vëllezërit dhe motrat e mia, çdo shpirt ende i ngecur në errësirë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e vetmja rrugë përpara dhe vetëm ju mund ta bëni të ndodhë”,  tha Levy.

Të enjten, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara tërhoqën ekipet e tyre negociuese nga bisedimet indirekte në Katar për një armëpushim të mëtejshëm.

“Në kohë si këto, të mbushura me pasiguri dhe raporte shqetësuese për kolapsin e negociatave, e ndjej të rëndësishme të them, nga përvoja, nga përvojë tepër e hidhur,  se në çdo ndërprerje bisedimesh, në çdo dështim të tyre, janë pengjet që paguajnë çmimin”,  tha Levy përpara se protestuesit të marshonin drejt ambasadës së SHBA-së.

Në Rripin e Gazës ndodhen ende rreth 50 pengje, për të paktën 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Militantë të Hamasit dhe grupe të tjera islamike rrëmbyen mbi 250 persona nga Izraeli për në Gazë gjatë sulmit të tyre më 7 tetor 2023. Më shumë se 1,200 persona u vranë.

Izraeli reagoi me sulme të fuqishme ajrore dhe me një ofensivë tokësore.

Sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi, dhjetëra mijëra persona janë vrarë në Rripin e Gazës që prej atëherë.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›