IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi sot se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet ushtarake në zonat ku besohet se mbahen pengje, sipas “Euronews”.
“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve”, tha Netanyahu në një video të postuar në X.
“Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë: ‘Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi” dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”, shtoi ai.
Zyra e Kryeministrit tha gjithashtu në një mesazh drejtuar Shefit të Shtabit, Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir, “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë ju duhet të jepni dorëheqjen”.
Netanyahu dhe Zamir kanë qenë në kundërshtim me mënyrën se si po zhvillohet lufta në Gazë – mes tensioneve që kanë arritur kulmin e tyre sot.
Vendimi i raportuar i kryeministrit izraelit vjen pas disa muajsh bisedimesh për armëpushim midis qeverisë së tij dhe Hamasit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përsëritura.
Izraeli është përballur gjithashtu me presion ndërkombëtar në rritje për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pasi Hamasi publikoi një video ku shfaqeshin pengje izraelite të dobësuara që mbahen në Gaza, të cilat grupi tha se ishin rezultat i bllokadës së ndihmës humanitare nga Izraeli në territorin e shkatërruar nga lufta.
Videot patën një ndikim të rëndësishëm në publikun izraelit dhe shkaktuan protesta nga mijëra njerëz të shtunën në mbrëmje dhe thirrje për një marrëveshje armëpushimi. //a.i/