E Hënë, 2 Nëntor 2026

IZRAEL – Trump: Kemi armë që askush nuk i ka ëndërruar ndonjëherë

TEL AVIV, 13 tetor /ATSH/- Presidenti Donald Trump në Izrael mbështeti planin e tij të paqes për Rripin e Gazës dhe Lindjen e Mesme, pasi paralajmëroi për fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas AP.

“Ky është një moment shumë emocionues për rajonin”, tha Trump duke folur në një seancë të posaçme në Knesset, Parlamenti izraelit, si pjesë e një vizite të shkurtër në vend – përpara se ai të udhëtonte në Egjipt, për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar për paqen në Gaza.

Gjithashtu, presidenti Trump vuri në dukje se kryeministri Benjamin Netanyahu kishte kërkuar vazhdimisht armë për luftën kundër Gazës dhe zonave të tjera.

“Unë ju dhashë gjithçka, dhe ju i përdorët ato siç duhet”, theksoi ai, duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishte shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite Eyal Zamir, të cilin ai e vlerësoi.

“Nuk do të jemi politikisht korrektë, Bibi, siç theksuat më parë në fjalimin tuaj: Paqe përmes forcës”. Kjo është historia”, tha Trump.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në botë dhe nëse do të kishte një luftë, ata do ta fitonin atë”, theksoi presidenti i SHBA-së para parlamentit njëdhomësh të Izraelit.

“Kemi armë që askush nuk i ka ëndërruar ndonjëherë, shpresoj se nuk do të na duhet t’i përdorim kurrë. Ne i kemi shitur shumë armë Izraelit”, shtoi ai.

“Personaliteti im më shtyn të mos bëj luftë, por t’i jap fund luftërave”, tha presidenti Trump, duke shtuar se ai pajtohej me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se paqja arrihej përmes forcës.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e tij për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit, nëpërmjet të cilave ky komb vendosi marrëdhënie diplomatike me disa vende arabe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›