IZRAEL- Ministrja gjermane e Arsimit: Paqja në LM mbetet prioritet

HAIFA, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Pavarësisht thirrjes së liderit izraelit sot për “sulme të fuqishme” në Gaza, pasi ai akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit duke qëlluar mbi trupat izraelite dhe vonuar kthimin e pengjeve, një ministre gjermane po mban qëndrimin e saj për vazhdimin e procesit të paqes.
Gjatë një vizite në Haif sot, ministrja e Arsimit Karin Prien u bëri thirrje palëve të mos heqin dorë nga procesi i paqes.
“Nuk duhet të lejojmë që pengesat e veçuara në këtë proces të na dekurajojnë tani”, tha ajo.
Prien përmendi se një student në qendrën arsimore “Givat Haviva” që ajo vizitoi, kishte theksuar se “shpresa po zbehet.”
Ajo shtoi se vetëm mund të shpresonte që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë “pikë shprese” për të vazhduar në rrugën drejt më shumë paqeje.
Komentet e saj vijnë ndërkohë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të kryejë menjëherë “sulme të fuqishme” në Rripin e Gazës..
Sipas mediave, kishte pasur më parë një shkëmbim zjarri në jug të Gazës, pavarësisht armëpushimit.
Izraeli është gjithashtu “i zemëruar” për, siç thotë ai, vonesat e Hamasit në kthimin e trupave të pengjeve të vdekur.
Arkivoli i fundit i dorëzuar dje në mbrëmje mbante mbetje shtesë të një pengu izraelit, trupi i të cilit ishte gjetur pothuajse dy vjet më parë, duke shkaktuar indinjatë në Izrael.
Netanyahu e quajti këtë një “shkelje të qartë” të marrëveshjes së armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja , e cila kërkon që Hamasi të kthejë shpejt të gjithë pengjet, të gjallë apo të vdekur.
Izraeli akuzon Hamasin se po vonon me qëllim procesin e dorëzimit të trupave, ndërsa Hamasi thotë se po has vështirësi për t’i gjetur trupat mes shkatërrimit të gjerë në Gaza. /Ad.Ab./