E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Bankat akses më të thjeshtuar në të dhënat shtetërore, drejt më pak burokracive për qytetarët

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po punon për ndërtimin e një modeli të unifikuar ndërveprimi mes institucioneve shtetërore dhe sektorit bankar, me synim thjeshtimin e procedurave për qytetarët dhe bizneset, reduktimin e dokumentacionit fizik dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale.

Deklarata u bë gjatë workshop-it “Digjitalizimi, shërbimet publike dhe bankat tregtare”, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, ku morën pjesë përfaqësues të sektorit bankar, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Ibrahimaj theksoi se në vëmendje janë zgjerimi i pagesave elektronike për shërbimet publike, integrimi më i avancuar i proceseve bankare me sistemet shtetërore dhe reduktimi i dokumentacionit në letër për qytetarët dhe bizneset.

“Në workshop-in ‘Digjitalizimi, shërbimet publike dhe bankat tregtare’, diskutuam me përfaqësuesit e sektorit bankar dhe AKSHI-t hapat e mëtejshëm për ta bërë ndërveprimin e qytetarëve dhe bizneseve me shërbimet publike edhe më të thjeshtë, më të shpejtë dhe plotësisht digjital”, u shpreh ministrja.

Sipas Ibrahimajt, një nga objektivat kryesorë është krijimi i një mekanizmi të centralizuar që do t’u mundësojë bankave akses në të dhënat shtetërore pa qenë nevoja për marrëveshje të veçanta me çdo institucion publik.

“Po ndërtojmë një model të unifikuar ndërveprimi, ku bankat të kenë mundësi të qasen te të dhënat shtetërore nëpërmjet një mekanizmi të centralizuar. Një qasje e tillë do të përshpejtonte ndjeshëm ofrimin e shërbimeve dhe do të reduktonte procedurat administrative për qytetarët”, theksoi ajo.

Një tjetër temë e diskutuar ishte kalimi gradual drejt modelit “vetëm një herë”, sipas të cilit qytetarët nuk do të kenë më nevojë të paraqesin të njëjtin dokument në institucione të ndryshme.

Në këtë kuadër, u diskutua mundësia që bankat të marrin automatikisht dokumentet elektronike të gjeneruara nga institucionet shtetërore përmes regjistrave përkatës, me pëlqimin e klientit dhe në përputhje me kuadrin ligjor.

Ministrja theksoi se këto zhvillime do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar kohën dhe procedurat e nevojshme për marrjen e shërbimeve.

“Së bashku me sektorin bankar dhe institucionet publike po ndërtojmë fazën e ardhshme të transformimit digjital, me më shumë shërbime të integruara, më pak burokraci dhe një eksperiencë më të thjeshtë për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Ibrahimaj.

Gjatë workshop-it u diskutua gjithashtu zgjerimi i pagesave elektronike për shërbimet publike, përdorimi i pagesave të menjëhershme (instant payments) dhe rritja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesës në administratën publike, me synim përmirësimin e mëtejshëm të aksesit dhe efikasitetit të shërbimeve digjitale.

1 nga 9

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›