Ibrahimaj: Ekonomia në rritje të qëndrueshme, rrisim pagën minimale në 500 euro në 2026

“Për 18 muaj kontributet e sigurimeve shoqërore për shtesën prej 400 euro në 500 euro do të paguhen për nivelin 400 euro. Domethënë që në xhepat e qytetarëve që paguhen me pagë minimale do të do të ketë një shtesë neto të ardhurash”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj theksoi se, “sa i takon pagave mesatare, ato kanë qenë në nivelin 320 euro, sot janë rritur në 830 euro”.
Ajo tha se në 2013 një mësues paguhej 420 euro, sot paguhet mbi 900 euro.
Ndërsa u ndal në treguesin e çmimeve ajo informoi se indeksi i rritjes së çmimeve nga 2013 deri në 2024 janë rritur me 63%, ndërkohë që të gjitha nivelet e pagave janë dyfishuar.
Ibrahimaj deklaroi se “qeveria parashikon të rrisë me rreth 30% pagat në sektorin shtetëror. Do të vijojmë të bëjmë një reformë për rritjen e pensioneve. Kur ne e morëm qeverinë, pensioni mesatar ishte 111 euro, sot është 300 euro, do ta rrisim në 400 euro. Do të ketë të ardhura minimale për pensionistët në nivelin 200 euro. Ndërsa për mbrojtjen nga rritja e çmimeve qeveria do të vazhdojë me politikën e indeksimit të pensioneve. Pra pensionistët janë të mbuluar nga rritja e çmimeve dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe për pagat. Ligjin është miratuar, do të indeksohen edhe pagat në sektorin shtetëror”.
Ajo garantoi se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet nëpërmjet reformave.
“Ne parashikojmë që në 4 vitet e ardhshme të financojmë investimet e sektorit privat në vlerën 2 miliardë euro, që do të gjenerojë një ekonomi në 8 miliardë euro dhe 100 mijë vende të reja pune”, tha ministrja, teksa theksoi se, tregues pozitiv shënon edhe bujqësia e cila ishte në raportin 1 me 9 dhe sot eksporton 1 dhe importon 3.
/a.f//r.e/