E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Lehtësim i veprimtarisë për agjencitë shqiptare të udhëtimit në vendet e CEFTA

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e vendimit nr. 6 të Komitetit të Gjashtë të CEFTA-s, që synon thjeshtimin e tregtisë së shërbimeve turistike të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë shqiptarë.

Sipas ministres Ibrahimaj, me miratimin e këtij vendimi, agjencitë dhe operatorët turistikë shqiptarë do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre në vendet anëtare të CEFTA-s pa nevojën për autorizime shtesë apo hapjen e zyrave për çdo territor të ri. Kjo krijon një mjedis të parashikueshëm dhe të unifikuar rregullash në të gjithë rajonin, duke thjeshtuar procedurat dhe rritur konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare.

Ministrja theksoi se vendimi vjen në një moment kur Shqipëria ka shënuar suficit tregtar në sektorin e shërbimeve, ku turizmi përbën komponentin kryesor. Përfitimet për agjencitë e udhëtimit janë të drejtpërdrejta: zgjerim i tregut, lehtësim i procedurave administrative dhe mundësi për të tërhequr klientë të rinj në rajon.

Ibrahimaj theksoi se miratimi i projektligjit është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për t’u përgatitur për tregun e përbashkët europian dhe për të harmonizuar aktivitetin e biznesit turistik me standardet rajonale të tregtisë së shërbimeve.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›