E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Ndryshojmë Kodin e Punës, legjislacioni do të përshtatet me atë të Bashkimit Europian

Ky do të jetë një vit i mbushur me ndryshime ligjore të lidhura me tregun e punës, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Kemi disa detyra të rëndësishme në ndryshimin e legjislacionit, duke filluar nga Kodi i Punës dhe të gjithë legjislacionin poshtë kodit. Ky do të jetë një vit intensiv, ku do të duhet të diskutojmë bashkërisht për përafrimin e direktivave, për rishikimin e legjislacionit”, tha Delina Ibrahimaj, ministre për Ekonominë dhe Inovacionin.

Mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë për Shqipërinë, ndaj qeveria po vijon marrëveshjet me vendet e treta për të sjellë krah pune nga jashtë.

“Qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore, edhe nëpërmjet marrëveshjeve që ne jemi duke nënshkruar me vendet e treta”, shtoi Ibrahimaj.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, Ibrahimaj përsëriti se paga minimale do të vijojë të rritet gjatë këtij 4-vjeçari, ndërsa po ashtu po punohet për reformimin e skemës së pensioneve./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›