Ibrahimaj: Sistemet kibernetike nën kontroll, e ardhmja është digjitale

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se sulmet kibernetike ndaj sistemeve tona janë të pashmangshme, por theksoi se ato nuk kanë shkaktuar dëme të pariparueshme dhe situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
“E vërteta është që të gjitha sulmet kibernetike nuk kanë lënë dëme të pariparueshme, që do të thotë se informacionet tona të sigurisë kibernetike janë të ngritura dhe në fuqi. Në botën e zhvillimeve të teknologjisë, lloje të tilla sulmesh nuk mund të evitohen”, tha Ibrahimaj për mediet, pas mbledhjes së qeverisë.
Ministrja theksoi se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë, duke nënvizuar se e ardhmja është digjitale, edhe luftërat do të jenë digjitale.
“Ne kemi nën monitorim të vazhdueshëm, përmes AKSK-së, të gjithë stafin për të vëzhguar në kohë reale dhe për të monitoruar të gjitha sulmet ndaj sistemeve tona. Do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim pasi e ardhmja është digjitale”, shtoi Ibrahimaj, teksa garantoi se “siguria kibernetike është aty, nën monitorim të vazhdueshëm”.
Ministrja përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në teknologji dhe siguri kibernetike për të mbrojtur informacionin dhe funksionimin e sistemeve shtetërore.
/e.xh/r.e/a.f/