E Diel, 1 Nëntor 2026

Identiteti i ri vizual, Radka Betcheva: EBU mbështet transformimin e RTSH-së

Radio Televizioni Shqiptar ka prezantuar identitetin e ri vizual dhe sezonin e ri televiziv, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ministra,  gazetarë, artistë dhe figura të njohura të botës së medias dhe artit.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Radka Betcheva, Drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, e cila vlerësoi ndryshimet e ndërmarra nga RTSH dhe theksoi mbështetjen e Unionit Evropian të Transmetuesve për procesin e transformimit të transmetuesit publik shqiptar.

Në fjalën e saj, Betcheva e cilësoi prezantimin e sezonit të ri televiziv, figurave të reja në ekran dhe platformës OTT si pjesë të një agjende ambicioze dhe shprehu mbështetjen për transformimin e RTSH-së.

Fjalimi i plotë i Radka Betcheva, Drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore

Mirëmbrëma të gjithëve,

Është një kënaqësi e madhe të jem me ju sonte dhe të përfaqësoj Unionin Evropian të Transmetuesve në këtë moment kaq të veçantë për RTSH-në.

Para së gjithash, urime drejtimit, organeve drejtuese dhe, mbi të gjitha, të gjithë njerëzve të RTSH-së që kanë punuar me shumë përkushtim për të bërë të mundur atë që shohim sonte.

Një identitet i ri vizual, një sezon i ri televiziv, figura të reja në ekran, një platformë e re OTT dhe shumë projekte të reja – kjo është një axhendë ambicioze. Mendoj se drejtimi i ri meriton vlerësim për këtë ambicie dhe për energjinë e re që po sjell në RTSH.

Ajo që po shohim sonte është më shumë sesa prezantimi i një sezoni të ri. Është fillimi i një transformimi më të gjerë të RTSH-së.

Dhe transformimi është i nevojshëm.

Mediat e shërbimit publik në të gjithë Evropën po ndryshojnë, sepse edhe audiencat tona po ndryshojnë. Njerëzit e konsumojnë median në mënyra të ndryshme. Teknologjia po zhvillohet me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Brezat e rinj presin të na gjejnë në platforma të ndryshme dhe në formate të ndryshme. Ndërkohë, konkurrenca për vëmendjen e publikut nuk ka qenë kurrë më e madhe.

Prandaj, mediat e shërbimit publik nuk mund të qëndrojnë në vend. Ne duhet të zhvillohemi së bashku me audiencat tona, duke qëndruar njëkohësisht besnikë ndaj misionit tonë të shërbimit publik.

Ky është një fillim shumë i mirë dhe ne, në EBU, jemi shumë të kënaqur që mbështesim RTSH-në në këtë moment.

Më pëlqen veçanërisht fakti që RTSH po tregon edhe anën e saj njerëzore, njerëzit që qëndrojnë pas programeve dhe shërbimeve që ne shohim dhe dëgjojmë çdo ditë.

Fushata që prezanton njerëzit që punojnë këtu është një kujtesë e bukur se pas çdo programi, çdo edicioni lajmesh, çdo zëri në radio, çdo kamere dhe çdo shërbimi digjital qëndrojnë njerëzit, njerëz me përvojë, kreativitet, dije dhe përkushtim.

Dhe pikërisht këta njerëz do të jenë në qendër të transformimit të RTSH-së.

Transformimi është gjithmonë i vështirë. Ai kërkon mënyra të reja pune, ambicie dhe vendime të vështira. Por, pas të gjitha këtyre ndryshimeve, duhet të qëndrojë një qëllim shumë i qartë: ndërtimi i një RTSH-je më të fortë, më moderne dhe më të qëndrueshme, e cila u shërben më mirë audiencave të saj.

Sepse, në fund të fundit, mediat e shërbimit publik ekzistojnë për t’u shërbyer të gjithëve brezave të ndryshëm, rajoneve dhe komuniteteve të ndryshme, kudo dhe në çfarëdo mënyre që njerëzit zgjedhin të konsumojnë median.

Platforma e re OTT është një shembull shumë i mirë. Të shkosh aty ku ndodhet sot audienca nuk do të thotë të largohesh nga misioni i shërbimit publik. Përkundrazi, kjo është pikërisht ajo që kërkon përmbushja e këtij misioni.

Dhe RTSH nuk duhet ta bëjë e vetme këtë rrugëtim.

EBU është një familje me më shumë se 100 organizata të medias së shërbimit publik. Brenda anëtarësisë sonë ekziston një përvojë e jashtëzakonshme në transformim, zhvillim digjital, teknologji, përmbajtje dhe inovacion. Ne jemi këtu për ta ndarë këtë përvojë dhe për të mbështetur RTSH-në gjatë këtij rrugëtimi.

Prandaj, mbi të gjitha, kjo mbrëmje është një moment për të festuar.

Urime drejtimit të ri për ambicien e treguar dhe urime të gjithë njerëzve të RTSH-së për punën dhe përpjekjet që qëndrojnë pas këtij fillimi të ri.

Ju uroj një sezon të ri të suksesshëm dhe çdo sukses në procesin e transformimit që keni përpara.

Mund të mbështeteni tek EBU si partneri juaj gjatë gjithë këtij rrugëtimi.

Faleminderit.

Me respekt,

Radka

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›