Igli Tare drejtor sportiv i klubit të Milanit, Duka: Një arritje e rëndësishme

TIRANË, 23 maj /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka përgëzuar përmes një mesazhi urimi, ish-sulmuesin e Shqipërisë, Igli Tare, në pritje të zyrtarizimit të tij në postin e drejtorit sportiv të Milanit.
Duka e përgëzon Taren, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme.
Presidenti i FSHF-së, shprehet se beson te profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni i Igli Tares, që do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij.
“Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare”, thotë Duka.
“Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën”, vijon ai.
Zgjedhja e drejtorit të ri sportiv të Milanit zgjati disa muaj, pasi drejtuesit kishin disa emra në listë, mes të cilëve Andrea Berta, Fabio Paratici, Tony D’Amico etj.
/r.e/