E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inagurohet burgu i grave në Pogradec, Manja: Gratë dhe vajzat që vuajnë dënimin do të kenë trajtim dinjitoz sipas standardeve të BE

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose dhe përfaqësues të trupave diplomatike në Shqipëri inauguruan burgun e ri të grave në Pojskë të Pogradecit.

Manja theksoi rëndësinë që i kushtohet sistemit penitenciar dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

“Është një lajm i mirë që të gjithë së bashku kemi arritur të bëjmë një punë të mirë, që gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin të kenë një trajtim dinjitoz, siç është paraparë në ligj, por edhe nga të gjitha standardet evropiane të trajtimit të paraburgosurve dhe të dënuarve.”

Ministri i Drejtësisë kujtoi disa prej sfidave dhe ndryshimeve rrënjësore që janë bërë në sistem.

“Që në fillim kur mora detyrën e Ministrit të Drejtësisë, i kam shtruar vetes një pyetje: cilat do të jenë objektivat e mia në raport me sistemin penitenciar? Mbyllja e burgut të Zaharisë, mbyllja e burgut të Ali Demit dhe burgu i hapur ishin disa nga punët me prioritet, të cilat sot janë realizuar me sukses.”

Gjatë ceremonisë për hapjen e burgut të grave u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet Drejtorisë së Burgjeve dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe për përmirësimin kushteve në Burgun e Fushë Krujës./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›