Inaugurohet “Vila 31 x Art Explora”/ Rama: Ish-rezidenca e një epoke të errët është kthyer në një qendër inovative artistike

TIRANË- Vila e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, tashmë u përket artistëve. Kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja morën pjesë në inaugurimin e Vila 31 x Art Explora.
Ish-rezidenca e diktatorit, e cila i përket një epoke të errët, sot është kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore.
Sipas Ramës, kjo qendër ka mirëpritur rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, duke sjellë një program kulturor të hapur për të gjithë: performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash.
Vila 31 në qendër të Tiranës ka më shumë se njëqind dhoma. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dyert e saj u mbyllën, ndërsa për fatin e saj ka pasur diskutime të ndryshme – nga shndërrimi në muze deri te shembja./abcnews.al