E Hënë, 2 Nëntor 2026

Incidentet në Kuvend, përjashtohen për 10 ditë deputetët Bardhi dhe Kreka

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën përjashtoi me 10 ditë nga seancat e Kuvendit dy deputetët e Partisë Demokratike Gament Bardhi dhe Fidel Kreka, pas incidenteve të shkaktuara një ditë më parë në parlament ku dhe u votua programi qeverisës dhe përbërja e Këshillit të Ministrave.

Sipas Partisë Socialiste, “deputeti Gazment Bardhi goditi disa herë me mjete të forta në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave”.

“Gjithashtu dhe deputeti Fidel Kreka kreu në të njëjtën formë shkelje si deputeti Gazment Bardhi”, thuhej në kërkesën e PS-së.

Kujtojmë se PS kërkoi dje pas seancës plenare mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka.

Seanca në Kuvend ditën e djeshme, ku u votua programi qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe ministrat e qeverisë së re, zgjati vetëm 25 minuta. Pak momente pasi kryeministri Edi Rama mori fjalën për prezantimin e programit dhe qeverisë së re, opozita bllokoi foltoren. Më tej anëtarë të opozitës hodhën librin e Kushtetutës dhe sende të tjera në drejtim të kryeministrit dhe të anëtarëve të qeverisë.

Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale. Në këto kushte mazhoranca kërkoi kalimin në proces votimi. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, që u votua me 82 vota nga mazhoranca, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›