Inderuar zoti Kryetar, Të nderuar deputetë, Debati i sotëm për ecurinë e refomave integruese, vjen në një kohë kur qeveria është e angazhuar në zhvillimin e negociatave me Bashkimin Eur
Inderuar zoti Kryetar,
Të nderuar deputetë,
Debati i sotëm për ecurinë e refomave integruese, vjen në një kohë kur qeveria është e angazhuar në zhvillimin e negociatave me Bashkimin Europian për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Sapo përfunduam me sukses raundin e dytë të negociatave dhe ecuria e deritanishme e tyre është mjaft e kënaqshme, falë punës serioze që po bën Qeveria Shqiptare nëpërmjet grupit të saj negociator i drejtuar me mandat politik nga Ministri i Integrimit.
Indicia e këtij debati parlamentar, i filluar me nismë të një grupi deputetësh të opozitës, të cilin dua ta falenderoj në mënyrë të veçantë, vjen për shkak të vlerësimeve të BE-së në raportin e saj të fundit për Shqipërinë. Ky raport analizon zhvillimet politike dhe të reformave në Shqipëri gjatë vitit 2002. Raporti vetë paraqitet në nota vlerësuese mjaft realiste duke evidentuar arritjet dhe mangësitë që na shoqëruan përgjatë gjithë vitit të shkuar. Të gjitha këto sensibilitete të parashtruara nga Brukseli, janë të njohura tashmë nga spektri politik dhe publiku i gjerë jo thjesht për shkak të publikimit të këtij raporti në media, por edhe për shkak se ne të gjithë mund të dëshmojmë, duke aktivizuar memorien tonë për ngjarjet e vitit 2002.
Viti 2002, siç e dini ishte një vit i mbushur me ngjarje politike, me një kalendar të ngjeshur veprimesh që përfunduan me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe me zgjedhjen e qeverisë që unë drejtoj. I parë në këtë këndvështrim, vështirë se ndokujt nga deputetët apo liderat e partive opozitare në këtë sallë Kuvendi, i shkonte në mendje të shqetësohej për ecurinë e reformave integruese që lidheshin me çeljen e negociatave me BE-në. Pavarësisht nga kjo Partia Socialiste, si forcë politike në maxhorancë diti të menaxhojë zgjidhjen e të gjitha krizave politike dhe kushtetuese, nga njëra anë dhe të mbajë tempin e zhvillimit të reformave integruese nga ana tjetër, ndonëse energjitë u përqendruan më shumë tek problemet politike në vend.
Nuk mund të mos pranojmë se zgjedhja e presidentit të ri me konsensusin e të gjitha partive politike parlamentare solli një detante të tensionit politik në vend, tension, i cili filloi pas zgjedhjeve të vitit 2001, me kontestet e opozitës për zgjedhjet parlamentare. Me lejoni t'ju sjell në vëmendje se opozita vendosi të njohë këtë parlament vetëm në janar të vitit të kaluar, me aktin e futjes së saj në parlament. Me ketë rast , pas dy vjetësh bojkot, kjo opozitë njohu edhe zgjedhjet vendore të vitit 2000 dhe Kushtetutën e vendit. Ky start politik i vitit 2002, u shoqërua me zëvendësimin e qeverisë dhe me futjen e saj në një rrjedhë normale pune, i cili siguroi vazhdimin e kontakteve me BE-në, hapjen e negociatave dhe ndjekjen e matricave të integrimit.
Shqetësimi për vlerësimin e bërë në raportin vjetor të BE-së, përbën në vetvete edhe shqetësimin e qeverisë që unë drejtoj, për përfundimin me sukses të negociatave dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Natyrisht, këtu flitet për periudha cilësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, pasi sot kemi një situatë tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e vitit të shkuar. Arsyeja themelore e shqetësimit tonë të përbashkët, duke përfshirë dhe BE-në, është se jeta jonë e përditshme politike, sociale e ekonomike është ende larg standarteve të Europes së qytetëruar dhe të zhvilluar. Prandaj dhe kritikohemi nga BE-ja. Këto kritika tashmë janë pranuar dhe nuk ka sens të vazhdojmë (ose të bëjmë gjoja se) të kritikojmë njëri-tjetrin, duke humbur akoma kohë që na afron me Europën.
Ne sapo kemi filluar fazën kruciale të përafrimit të integrimit, duke negociuar dhe duke sjellë realisht standartet dhe normativat e BE-së në realitetin tonë. Ndaj në diskutimet tuaja, të nderuar deputetë, ju ftoj të gjykoni dhe të vlerësoni programet tona të veprimit, strategjitë dhe matricat prioritare të integrimit, krahas detyrave të legjislativit dhe institucioneve të tjera.
Për kushtet që gjendemi është e vështirë të veçosh se cilat janë veprimet apo reformat prioritare dhe cilat më pak të tilla. Në një vision të gjerë, gjithçka duhet reformuar e sjellë në standartin europian, duke filluar nga formalizimi i ekonomisë e deri te ristrukturimi i institucioneve të shtetit, nga lufta kundër trafiqeve e deri tek mbyllja e plagëve sociale që shkaktoi tranzicioni, nga reformimi i drejtësisë e deri deri zhvillimi i një morali të ri social të integruar, nga zhvillimi i një politike luajale e bashkëpunuese deri tek zhvillimi i medias së lirë e i shoqërisë demokratike. Megjithatë, qeveria ka hartuar strategji dhe matrica prioritetesh të cilat janë mbështetur dhe monitorohen në zbatim edhe nga strukturat e BE-së me të cilat negociojmë.
Vlerësimi im, për raportin e BE-së, nuk mund të jetë i ndryshëm nga realiteti që vetë BE-ja gjen në Shqipërinë e vitit 2002. Megjithatë unë besoj se nga ky vit ne mësuam përfundimisht se instalimi i frymës së dialogut politik, bashkëpunimi për zhvillimin e reformave bazike, që kërkojnë konsensus politik, zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të shtetit ligjor, krijimi i më shumë hapësirave për zhvillimin e iniciativave sipërmarrëse në ekonomi, lufta kundër korrupsionit dhe trafiqeve dhe respektimi i të drejtave të njeriut, qëndrojnë në themel të çdo bashkëveprimi me Bashkimin Europian. Në vitin 2002, krahas zgjedhjes së Presidentit të Republikës me konsensus politik, ne filluam së bashku reforma të rëndësishme për funksionimin e shtetit demokratik, siç janë reforma zgjedhore, reforma në fushën e pronësisë, si dhe reforma e isntitucioneve të rëndësishme të shtetit, si: SHISH, KLSH, Gjykatë Kushtetuese KLD, etj. Ritmi i këtyre reformave pavarësisht nga zigzaket e qëndrimeve politike të opozitës, ka qene i kënaqshëm ndonëse rezultatet e ndonjërës prej tyre ende nuk po vijnë.
Reforma zgjedhore, psh është në përfundim. Komisioni bi-partizan ka kryer një punë voluminoze dhe mjaft të suksesshme. Ky komision mbi të gjitha ka zhvilluar një proçes të drejtë dhe gjithëpërfshirës, rezultatet e të cilit do të çertifikohen nga ky Kuvend shumë shpejt, kur të miratohen amendamentet e Kodit Zgjedhor. Kam kënaqësinë të konfirmoj se rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, janë plotësuar të gjitha, madje për shkak të frymës së konsensusit kemi shkuar më tej duke trajtuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përbërjen dhe mirëfunksionimin e strukturës zgjedhore sipas standarteve të Këshillit të Europës. Natyrisht të gjitha këto çështje janë trajtuar dhe do të vazhdojnë të trajtohen brenda kuadrit kushtetues, pa e cënuar aspak atë, por duke e sjellë zbatimin e saj sa më pranë frymës së konsensusit dhe praktikave më të mira që veprojnë në Europë.
Ne presim që kjo frymë të shtrihet edhe gjatë fazës së zbatimit të Kodit të ri Zgjedhor edhe për çështje të tjera të rëndësishme si: ndërtimi i infrastrukturës zgjedhore, përmirësimi i kushteve për trajtimin e ankesave zgjedhore, zhvillimin e fushatave elektorale në mënyrë qyterare dhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Kjo, të nderuar deputetë, kërkon thjesht më shumë kurajo dhe angazhim politik dhe më shumë qytetari, ashtu siç edhe veprojnë zgjedhësit tanë aktualisht.
Ndonëse reforma zgjedhore po ecën në ritmet e kërkuara, reforma në fushën e pronësisë, ende nuk po përfundon. Kjo vjen thjesht për faktin se Kuvendi nuk po miraton projektligjin e ri për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Ky projektligj u rimor nga qeveria, pavarësisht historikut të kësaj çështjeje, për të harmonizuar më mirë kërkesat e pronarëve të ligjshëm. Hartimi i këtij projekti u bë pas shumë diskutimesh politike që konkluduan në tryezën e partive politike të drejtuar nga Presidenti i Republikës. Projekti aktual reflekton saktësisht këto parime, - kthimi i menjëhershëm i pronave të lira tek pronarët legjitimë, kompensim në prona të lira për të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë të zëna, vlera e kompensimit të jetë e plotë sipas çmimeve të tregut, nxitja e kompensimit në zona turistike, si dhe kompensimi në vendin ku jeton pronari. Për këtë projekt ne u konsultuam me ekspertizën më të mirë dhe me të dhënat statistikore zyrtare për gjendjen e pronave të lira. Sipas të dhënave që disponohen, rezulton se ka prona të lira të mjaftueshme për t'i respektuar këto parime që sapo përmenda. Me këtë projekt qeveria synon të bëjë realitet kthimin e pronave tek pronarët e tyre, si dhe të rrisë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e tregut të tokës dhe të pasurive të tjera imobiljare, duke e bërë atë funksional dhe transparent. Ky stabilitet është jetik për sigurinë e tregut të investimeve në të cilin zhvillon aktivitetin e tij sipërmarrja vendase dhe ajo e huaj. Unë kërkoj që të përshpejtohet proçedura e miratimit të këtij ligji me qëllim, hapjen e rrugës institucionale për qeverinë që të fillojë proçesin e kthimit dhe kompensimit.
Kjo reformë ligjore po shoqërohet edhe me masa të tjera plotësuese siç është çlirimi nga zaptimi i sipërfaqeve të trojeve nga ndërtime dhe privatizime të paligjshme. Në të gjitha këto raste ne po ndërhyjmë, sigurisht në mënyrë të programuar, duke minimizuar kostot sociale që burojnë nga prishja e ndërtimeve pa leje apo heqja e të drejtave të pronësisë të fituar në mënyrë të paligjshme.
Me të njëjtin angazhim qeveria filloi edhe reformën e institucioneve të rëndësishme shtetërore. Këto reforma u filluan në bashkëpunim edhe me opozitën dhe po përfundojnë me po atë angazhim, por këtë radhë pa opozitën. Reforma në SHISH, filloi me pastrimin e rradhëve të këtij shërbimi nga persona të inkriminuar dhe të paaftë. Për këtë qëllim, bashkëpunimi për shkak të detyrës me Presidentin e Republikës ka qenë efektiv. Cikli i kësaj reforme do të mbyllet me miratimin e ligjit për SHISH-in dhe me ristrukturimin e plotë të tij sipas standarteve të ofruara nga shërbimet partnere që na asistojnë. Projektligji për SHISH është në tryezat e punës së ekzekutivit, në fazën përmbyllëse të tij dhe brenda muajit maj do të paraqitet para jush për miratim. Ndërsa ristrukturimi i këtij shërbimi është në fazën e studimit dhe të konsultave me ekspertizën e shërbimeve aleate.
Fatkeqësisht reforma në institucionet e tjera të rëndësishme, nuk eci ashtu siç u programua së bashku me opozitën, për shkak se kjo e fundit e konceptoi atë si ndërrim emrash apo kryetarësh. Ndërsa për Kontrollin e Lartë të Shtetit, ne ndërmorën disa nisma konkrete për reformimin e këtij institucioni, nisma të cilat nuk u mbështetën nga opozita, reforma në Gjykatën Kushtetuese filloi të degradohej thjesht në luftë emrash apo karrigesh. Ne nuk mund të jemi për reforma të tilla, të cilat në thelbin e tyre janë hakmarrëse. Kjo politike e vetgjyqësisë primitive, aq më pak i shërben përafrimit të standarteve tona me ato të BE-së, siç edhe po diskutojmë sot.
Të nderuar deputetë,
Me marjen e votbesimit politik, qeveria rimori fillimin dhe thellimin e një sërë reformash institucionale, strukturore dhe ekonomike në funksion të matricës antikorrupsion. Harmonizimi i matricës së integrimit me matrica dhe programe të tjera zhvillimi, nëpërmjet krijimit të një sistemi monitorimi dhe vlerësimi pranë zyrës së Kryeministrit, bëri që Marrëdhëniet tona me Brukselin zyrtar të fitojnë një garanci dhe stabilitet të qëndrueshëm. Prandaj u çelën negociatat, dhe mbi këtë bazë po zhvillohen ato.
Reformimi i institucioneve ekzekutive filloi me synime të qarta dhe të programuara. Për herë të parë u definuan misionet dhe objektivat e çdo ministrie dhe dikasteri qendror. Ky përcaktim krijoi pamjen reale të hartës së funksionimit të ekzekutivit, hartë e cila po pëson ndryshime cilësore. Synimi final i yni në zhvillimin e kësaj reforme është harmonizimi më i mirë i detyrave politik-bërëse me ato ekzekutive. Ne të gjithë kuptuam se ministritë tona nuk mund të jenë thjesht "prokuruese fondesh", por në radhë të parë ato janë gjenerues politika dhe programesh zhvillimi. Në funksion të arritjes të këtij objektivi strategjik çdo mbledhje e Këshillit të Ministrave apo Komitet Ndërministror Politikash zhvillohet me qëllim rritjen e aftësisë koordinuese ndërmjet dikastereve. Ne iu futëm kësaj reforme, sepse rrezikonim që të institucionalizonim krijimin e dikastereve të tipit "bunker" dhe të varfëruara në politika dhe programe zhvillimi.
E gjithë kjo frymë reformash po shoqërohet gjithnjë e më shumë me mendime alternative dhe me oponenca serioze, të cilat kontribuojnë më mirë në vendimarrjen tonë për gjetjen e zgjidhjeve kuruese për funksionimin e institucioneve. Pasi identifikuam një listë institucionesh sipas vartësisë dhe funksioneve që kryenin, konstatuam se ato ishin të mbingarkuara ose të papozicionuara drejt në skemën e vartësisë funksionale. Profilizimi administrativ i tyre sipas detyrave që kryejnë si dhe çlirimi nga mbingarkesa është në fazën përmbyllëse.
Sigurisht, kjo reformë nuk ka përfunduar ende. Është e rëndësishme të kuptojmë se edhe vetë vendet e BE-së, i ndryshojnë vazhdimisht drejt perfeksionit konceptet për strukturat ekzekutive. Fillimi i zbatimit të ligjit për Këshillin e Ministrave, do të çojë në mënyrë të logjikshme drejt krijimit të modelit të ri të ushtrimit të detyrave ekzekutive. Tani puna jonë është e përqendruar në detajimin e misioneve dhe kompetencave të çdo ministrie. Ky hap do të shoqërohet edhe me përcaktimin e strukturave dhe organigramave më të përshtashme për realizimin e detyrave ekzekutive. Në këtë funksion do të hyjë më mirë në efiçensë edhe ligji për Statusin e Nëpunësit Civil, proçedurat e të cilit do të jenë më mirë të zbatuara në funksion të nevojave reale që ka çdo dikaster, krahas shtrirjes së frymës së tij në shërbime të tjera publike, si ato fiskale, në Policinë e Shtetit dhe në funksionet e larta të drejtimit dhe administrimit publik. Gjithashtu, përshkrimet e punës, vlerësimet për shërbyesit civil, si dhe roli i Komisionit të Shërbimit Civil marrin më shumë vlerë në këtë model të ri që po krijojmë.
Të gjithë këtë reformë, që kemi ndërmarrë, nuk po e bëjmë për qëllim në vetvete dhe as thjesht për t'u duartrokitur nga Brukseli, por për t'i shërbyer më mirë qytetarit. Kjo është edhe esenca e çdo marrëveshjeje integruese me realitetin europian e më gjerë. Thjeshtimi i burokracisë ligjore në institucionet tona ekzekutive do të krijojë më shumë lehtësira për komunikim me qytetarin dhe në mënyrë të veçantë po krijon një terren më të përshtatshëm për komunitetin sipërmarrës në marrëdhënie me shtetin. Marrëdhëniet e administratës sonë me qytetarin dhe biznesin janë përmirësuar ndjeshëm. Marrëveshjet e bashkëpunimit, të nënshkruara ndërmjet organeve të administratës fiskale me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit, por prodhojnë më shumë incentive për ndërhyrje në sisteme dhe po sjellin vendimarrje më të pjekur. Avantazhi kryesor i këtyre marrëdhënieve është se është krijuar një klimë më e mirë për zbatimin e ligjeve të shtetit pa cënuar autoritetin ligjor dhe personalitetin e askujt në këtë marrëdhënie.
Nga kjo marrëdhënie po kuptojmë çdo ditë e më shumë se qytetari dhe biznesi është i interesuar për më shumë transparencë, zbatim të ligjit dhe për rregulla loje korrekte. Pikërisht këtë gjë kemi programuar të bëjmë dhe kemi filluar punën për identifikimin dhe ndërhyrjen korrektuese të sistemeve. Në këtë kuadër duhet parë ndërhyrja që bëmë, dhe po vazhdojmë, për pastrimin e mjedisit urban nga ndërtimet e paligjshme. Janë mbi 700 ndërtime të programuara për tu prishur, të cilat do të çlirojnë zona turistike të Durrësit dhe Golemit. Duhet të kuptojmë se kjo nuk është një punë e lehtë dhe pa emocione njerëzore, por sfidat e zhvillimit të turizmit të integruar janë më të rëndësishme. Janë gjithashtu më të rëndësishme afrimi i bizneseve të mëdha, kapacitetet e të cilit janë garanci më e madhe për punësim, mirëqenie sociale dhe mirë-administrim i pasurisë publike dhe private.
Gjithashtu, çlirimi i qendrave të qyteteve nga masakra urbane, po shoqërohet me më shumë sipërfaqe publike të lirë për qytetarët, duke krijuar kështu modelin e ri europian të urbanistikës shqiptare, relativisht të re. Këto, të nderuar deputetë, janë ndërhyrje të mëdha. Suksesi i tyre është i lidhur ngushtë me faktin se sa mirë programohen ato dhe me çfarë vizioni. Ne nuk kemi kohë të harxhojmë duke përzgjedhur modele kineze apo japoneze, për administrimin e hapësirave publike, kur historia e vendeve europiane është aty, dhe po futet edhe tek ne.
Mirë-administrimi i pasurisë publike, është një aspekt tjetër i ndërhyrjes sonë. Tranzicioni i gjatë na shkaktoi fenomene të paprecedentë, në administrimin ligjor të pasurisë publike. Përveç zonave turistike, që u masakruan me vullnet politik apo me mosveprim kriminal të strukturave të shtetit, nga keq-administrimi u shkatërruan pyjet, shtretërit e lumejve, ndërmarrjet publike, parqet kombëtare, etj. Në këto kushte qeveria programoi ndërhyrjen e saj me dy faza. Faza e parë ishte ndërprerja e kësaj masakre, fazë e cila përfundoi shumë shpejt, pas miratimit të një pakete vendimesh të qeverisë. Faza e dytë në të cilën jemi futur është ajo kurative, e cila po bazohet në incentive të reja që sigurojnë qëndrueshmëri në administrimin e zhvillimit dhe të resurseve. Ndërhyrjet që bëmë në disiplinimin e shtretërve të lumejve, psh: po mbrojnë më mirë investimet publike mbi to dhe po orientojnë në mënyrë të qëndrueshme biznesin privat që përdor rërat dhe zhavorret. E njëjta gjë po ndodh edhe në pyjet dhe kullotat. Përsa i përket objekteve publike të nxerra në tregun e pasurive imobiljare, qeveria ka përfunduar tashmë VKM, për rregullat e dhënies me qera të tyre, ku si element bazë do të jetë konkursi dhe mirë-administrimi i pronës pa i ndryshuar destinacioni.
Qeveria është e vetdijshme se një pjesë e madhe e pasurisë publike, nuk mund të administrohet me fondet e buxhetit të shtetit. Prandaj po nxit forma të tjera, përveç dhënies me qera, të administrimit të saj si koncensioni dhe privatizimi. Dhënia me koncension po bëhet një praktikë normale e vendimmarrjes së qeverisë. Me priroritet janë trajtuar me formën e konsensionit TEC-et dhe HEC-t e vogla, të cilat po kontribuojnë në zbutjen e krizës energjitike, duke ulur importin e energjisë, duke shtuar sasinë e prodhuar në vend dhe operatorët privatë që aktivizojnë burime alternative. Do të vazhdojmë të stimulojmë këtë formë të administrimit të pasurisë publike edhe në sektorë të tjerë si: transporti, industria minerare, etj.
Privatizimi i sektorëve strategjikë të ekonomisë, po vazhdon sipas programit të qeverisë. Synimi është që të shfrytëzohet momentumi më i mirë që të ofrojnë konjukturat e tregut. Ne nuk mund të lejojmë tjetërsimin e pasurisë publike për "një copë bukë" dhe as për të siguruar kredo elektorale duke shfrytëzuar konjukturat politike në Europë a më gjerë. Privatizimi i Bankës së Kursimeve, INSIG-ut dhe i Albtelekomit, është në proces. Këto industri të mëdha të biznesit publik, po i nënshtrohen një monitorimi të rreptë me ekspertizën më të mirë që ekziston sot në botë. Kjo ekspertizë është siguruar nga Qeveria Shqiptare me kontributet e donatorëve. Hedhja e tyre në treg do të varet, siç thashë nga gjendja e këtij tregu dhe jo nga vullneti politik i qeverisë.
Zhvillimet në sektorin e investimeve publike sidomos në infrastrukturë janë kërkesë e kohës. Është e kuptueshme se një infrastrukturë e mirë dhe e zhvilluar krijon më shumë lehtësira për investitorët privatë dhe më shumë komoditet për qytetarët. Edhe në këtë sektor, ne kemi filluar një reformë të thellë. Në fazën fillestare të saj ne u kujdesëm më shumë për të mbyllur ciklin e proçedurave për investimet e nisura para një viti, sigurisht sipas ligjeve në fuqi. Në këtë fazë të dytë, që sapo kemi hyrë qeveria ka prezantuar logjikën e financimit të veprave publike mbi bazë projektesh dhe prioritetesh. Dikasteret ekzekutive të specializuara janë orientuar drejt kësaj fryme dhe po presim rezultatet përkatëse. Kjo reformë do të shoqërohet në fazën e saj përmbyllëse edhe me reformën buxhetore dhe me fillimin e efekteve të proçedurave të reja të prokurimit publik, të cilat do të paraqiten brenda muajit qershor në Kuvend për miratim. Kjo paketë mbi të gjitha do të sigurojë përfundimisht që fondet buxhetore për investime do të përdoren në mënyrë të ligjshme dhe sipas prioriteteve të zhvillimit dhe aspak në varësi të fushatave zgjedhore. Reforma në këtë fushë do të synojë edhe tërheqjen e kontraktuar të sipërmarrjes dhe kapitalit vendas në partneritet me programet shtetërore të zhvillimit konkurues dhe integrimit kombëtar në tregjet rajonale e globale.
Reforma në sektorin e energjisë e programuar nga qeveria, synon zgjidhjen e problemeve në afat të gjatë. Natyrisht, nuk mund të zhvillohen më tej nismat e bisneseve pa sigurimin e burimeve të energjisë. Vënia në eficencë e burimeve alternative të energjisë është një objektiv afatshkurtër dhe afat mesëm, i qeverisë. Prioritet vazhdon të mbetet sigurimi i energjisë elektrike si burimi kryesor për konsum familjar dhe për sipërmarrjen. Ky sektor i është nënshtruar një reforme të thellë dhe komplekse. Si rezultat, është arritur shlyerja e borxheve ndaj të tretëve dhe janë zhbllokuar rreth 90 milionë eoro kredi dhe donacione për përmirësimin e rrejtit dhe të burimeve të prodhimit të energjisë elekrike. Paraleshisht ne po e shndërrojmë KESH-in në një kompani kompetitive të tregun e energjisë europiane, për shkak se insovabiliteti i saj tregëtar ka marrë fund. Kjo është një garanci serioze se konsumi i energjisë në vend do të jetë më i lartë dhe më i qëndrueshëm.
Këto reforma strukturore po shoqërohen dhe me thellimin e reformës në fushën e fiskut. Synimi ynë në këtë reformë është thellimi i zhvendosjes së barrës së taksimit nga doganat në tatim, krahas zgjerimit të bazës së kontributeteve dhe uljes së barrës fiskale në luftë me evazionin dhe informalitetin. Aktualisht raporti është përmbysur në raport me një vit më parë, pasi të ardhurat nga tatimet sot përfaqësojnë 52% të të ardhurave buxhetore. Paketa e re fiskale ka krijuar marrëdhënie më të mira me taksapaguesin dhe zbatimi korrekt i saj ka shëndoshur financat e shtetit dhe marrëdhëniet e tij me biznesin. Realizimi i treguesve të tremujorit të parë nga të dy shërbimet është i plotë e nuk lë vend për asnjë ekuivok.
Modernizimi i shërbimeve publike është sfida jonë e radhës, me qëllim minimizimin e ekonomisë informale. Nëpërmjet këtyre shërbimeve biznesi po ftohet të hyjë në sipërmarrje më të mëdha dhe të kryejë tranaksionet financiare nëpërmjet bankave. Kjo pa dyshim do të zhvillojë më shumë sektorin bankar, sektor i cili po njeh progres të qëndrueshëm, në kuadër të stabilitetit makroekonomik që nxit rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mbron portofolet financiare nga inflacioni.
Tashmë duhet të kuptojmë se shërbimet tona fiskale, janë shumë më të çliruar nga aktivitet parazitare dhe jo domosdoshmërisht të lidhura me financat qendrore. Reforma në fushën e decentralizimit, ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme që është decentralizimi fiskal. Tashmë qeverisja vendore ka më shumë mundësi për të gjeneruar të ardhurat e veta, duke e shpolitizuar plotësisht menaxhimin e fondeve qendrore për investime. Ka ende një reagim jo të sigurt nga disa titullarë vendorë, që nuk janë mësuar të punojnë por, trendi është i kënaqshëm dhe rezultatet e mira janë të sigurta..
Institucionalizimi i autonomisë vendore po krijon rezultatet e para në integrimin e komuniteteve lokale me homologët në rajon dhe Europë. Ky është edhe qëllimi kryesor i kësaj reforme, përfundimi me sukses i të cilës do të thjeshtonte më shumë integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e balancuar të tregjeve dhe rajoneve të vendit..
E rëndësishme është që të kuptojmë se reformat tona janë të lidhur ngushtë me cilësinë e reformave në vendet e rajonit. Ky është edhe koncepti ynë i ri për zhvillimin e infrastrukturës dhe jo vetëm të saj. Është e kuptueshme se hartimi dhe zbatimi i projekteve rajonale të zhvillimit ka më shumë avantazhe që lidhen drejtëpërdrejti me integrimin në rajon dhe në Europë. Këto projekte rajonale janë më të bindshëm për donatorët strategjikë dhe për pasojë janë më të financueshëm. Shembulli tipik për këtë është ndërtimi i Korridoreve Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug. Kjo nuk përjashton aspak lënien e akseve të tjera sië është rruga Durrës–Kukës, apo pjesa veri-lindore e Shqipërisë, por ne synojmë që edhe këto akse të jenë pjesë e realiteteve integruese. Ju e kuptoni se ndërtimi i një rruge të përbashkët sjell më shumë biznes, informacion zhvillim kulturor e turizëm, krahas menaxhimit më të mirë të resurseve për zhvillim në një treg më të madh se ai i brendshëm.
Në këtë kuadër duhen trajtuar edhe marrëveshjet e tregtisë së lirë, që kemi nënshkruar dhe po nisim të zbatojmë me pothuajse të gjithë vendet e rajonit. Brenda këtij viti do të përfundojnë edhe marrëveshjet me Kosovën, Turqinë, Moldavinë dhe Serbinë e Malin e Zi. Me këtë frymë të re bashkëpunimi, ne besojmë se rrugët e integrimit rajonal janë më të hapura dhe për pasojë harta e integrimit të rajonit në Europë do të ketë të njëjtën ngjyrë. Ekzistojnë gjithashtu edhe një sërë nismash të tjera rajonale, që po rezultojnë si të suksesshme. Nisma të tilla si SECI, Konferenca e Bashkëpunimit të vendeve te Detit të Zi, procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore, janë mjaft të dobishme për shkëmbimin e informacioneve dhe të ideve të zhvillimit, pasi në fund të fundit vendet tona kanë të njëjtën problematikë. Ky është modeli i ri i zhvillimit që po promovojmë në negociata me BE-në dhe me ju të nderuar deputetë.
Këto iniciativa rajonale që po zhvillojmë, na kanë dhënë indicjen e fillimit të një reforme të re në fushën e menaxhimit të kufijve dhe përmirësimit të rregjimit në pikat e kalimit kufitar. Lëvizja e lirë e personave, mallrave dhe kapitaleve është një kërkesë e kohës e shqiptarëve që duan të integrohen. Që në muajin nentor 2002, ne propozuam fillimin e punës për hartimin e një pakete të tipit "shengen". Natyrisht suksesi i kësaj pakete reformash lidhet drejtëpërdrejti me përfundimin e negociatave me BE-në dhe nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asocimit. Por kjo nuk na ndalon që t'i paraprijmë këtij koncepti europian me disa masa konkrete, siç është përshpejtimi i pajisjes së shtetasve me kartë identiteti, që lidhet me reformën e shërbimit të gjendjes civile, përgatitja e fizibilitetit për përmirësimin e infrastrukturës së kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe përafrimi i standarteve ligjore me vendet e "shengenit" dhe me ato të rajonit. Elementë të veçantë të kësaj reforme po fillojnë të ndihet në terren. Kontrolli në pikat e kalimit është më i mirë dhe shkëmbimi i informacionit është adekuat dhe profesional, duke e bërë realisht lëvizjen e shtetasve tanë më të lirë dhe të mbrojtur.
Kjo paketë, të nderuar kolegë, është shoqëruar me marrjen e masave të rrepta kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar. Trafiku i qenieve njerëzore, tashmë konsiderohet i mbyllur. Qeveria, siç e dini, deklaroi vullnetin e qartë politik se është një qeveri anti-trafik. Ky vullnet i shoqëruar me masa të rrepta operacionale, duke dhënë kështu shembullin më të mirë të këtyre viteve të fundit se si mund të parandalohet dhe kurohet një plagë sociale. Masat tona ekzekutive, kanë sjellë si pasojë jo vetëm mbylljen e këtij trafiku, por edhe përmirësimin e imazhit të shtetit shqiptar në Europë. Pasoja është e dukshme, jo vetëm në lavdërimet që marrim por edhe në tregues. Tashmë trafikantët që nisen nga shtete të tjera nuk tentojnë më Shqipërinë por rrugë të tjera. Kjo nuk na e ul aspak vëmendjen për të mbyllur çdo mundësi riciklimi të këtij trafiku.
Mbyllja e këtij trafiku ka disiplinuar dhe orientuar punën e strukturave të policisë në luftën kundër trafikut të drogës po aq të rrezikshëm. Mbyllja e rrugëve të paligjshme të kalimit të kufirit e drejton këtë trafik në pikat e kalimit kufitar, ku kontrolli vazhdon i rreptë, megjithë mungesën e infrastrukturës së sofistikuar. Operacioni anti-drogë që kemi nisur, po jep rezultatet e para. Më shumë se këto rezultate, policia jonë në përballje me këtë fenomen po krahason performancën e saj me atë të strukturave homologe europiane, duke forcuar kredibilitetin dhe bashkëveprimin me to. Unë besoj se ky është leksioni më i mirë praktik i integrimit të strukturave tona shtetërore. Bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë për shkëmbim informacioni edhe përvojash është kyçi i çdo proçesi integrimi. Rezultatet e bashkëpunimit të strukturave tona të rendit dhe të sigurisë me ato homologe dhe partnere janë tashmë të kuadruar dhe në përmirësim. Mbetet ende për të bërë në drejtim të trainimeve të specializuara dhe të pajisjes me mjete moderne kontrolli. Një kontribut real po fillon të japë edhe qendra Anti-Trafik në Vlorë si një zyrë inteligjence rajonale, e cila do të shndërrohet në qendër operacionale me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Rezultatet në luftën kundër trafiqeve po na japin më shumë kurajo morale për të luftuar edhe aspekte të tjera të krimit të organizuar. Lufta kundër korrupsionit, për nga natyra e saj është bërë më inteligjente, për shkak të larmishmërisë dhe tipologjisë së korrupsionit në Shqipëri. Kemi të bëjmë, pra me një fenomen, të shtrirë në më shumë se një mandat qeverisës dhe, më keq akoma, me një mendësi orientale të ngulitur në një pjesë të mirë të publikut të gjerë. Lufta efikase kundër këtij fenomeni, nuk mund të bëhet mbi bazën e percepsioneve. Ajo kërkon analiza të thella, veprim ekzekutiv, transparencë dhe pse jo trainim të publikut. Të gjithë këto elementë janë të lidhur njëri me tjetrin dhe mund të harmonizohen më mirë nëse ka një bashkëpunim politik luajal. Me këtë kam parasysh, jo ngritjen e akuzave boshe që synojnë denigrimin e zyrtarëve për motive politiko-elektorale, por krijimin e një mjedisi më të gjerë bashkëpunimi dhe ndarje përgjegjësish. Ajo që kemi bërë në gjithë këto vite është përsëritja e cikleve të akuzave publike ndaj qeverive, shpesh herë mbi bazë percepsionesh, të papërfunduara me dosje hetimore. Pikërisht këtë gjë po korrigjojmë, pavarësisht debatit politik. Qeveria që unë drejtoj ka vetëm një zyrë ku i drejton akuzat, tashmë jo perceptive, por të shoqëruara me dosje dhe materiale kallzuese, produkt i strukturave të kontrollit të brendshëm, dhe kjo është Prokuroria e Shtetit, me të cilën është ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi ligjor mjaft korrekt.
Veprimi ynë ekzekutiv në luftën institucionale kundër korrupsionit është bazuar në këto elementë kyç:
1- Në përmirësimin e kuadrit ligjor penal dhe administrativ,
2- Në rritjen e transparencës me publikun, nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe përmirësimit të komunikimit me qytetarët në zyrat e shtetit.
3- Në forcimin e kontrollit administrativ dhe financiar, ku përparësi ka respektimi i rekomandimeve të KLSH-së.
4- Forcimin e kapaciteteve të hetimit dhe të gjyqësorit.
Me këto instrumenta dhe të tjera që do të përmenden nga Ministri i Shtetit, qeveria ka zgjedhur të luftojë nga rrënjët korrupsionin dhe jo ta mbrojë apo riciklojë siç pretendon abuzivisht opozita. Me këto mekanizma mund të garantojmë në mënyrë të sigurtë se korrupsionit shumë shpejt do i vijë fundi edhe në Shqipëri.Çdo mënyrë tjetër, sië edhe pretendohet nuk sjell efekte pozitive, por thjesht ndërton një listë të gjatë e abuzive me njerëz të cilët do të detyrohemi t'i marrim në mbrojtje politike, shpesh herë edhe padrejtësisht. Ndryshe nuk kemi se si të jemi rezultativ as ndaj skafeve e trafikantëve që fshihen në vende të tjera e as ndaj zyrtarëve me që fshihen pas imunitetit kushtetues apo politik.
Njëkohësisht me përballimin e këtyre reformave bazike që sigurojnë integrimin e vendit në BE-së, qeveria po zhvillon edhe reforma në sektorë prioritare në shërbim të publikut, sic është arsimi dhe shëndetësia. Hapja e shqipërisë po shoqërohet edhe me transformime të rëndësishme në arsim. Ne jemi të interesuar që potencialet intelektuale të vendit të vazhdojnë të dalin nga shkolla jonë. Në mënyrë të vecantë përparësi ka korrektimi i të metave që konservon ku sistem duke filluar nga standartizimi i kurrikulave e deri tek hapja e shkollës për të gjithë. Gjithashtu në shëndëtësi qeveria ka ndërhyrë dukshëm në sistem për përmirësimin e shërbimit shndëtësor dhe nxitjes së komunitetit sipërmarrës për të investuar në këtë sektor. Këta sektorë po ndihmohen edhe nga konkurrenca e aktiviteteve private.
Këto reforma natyrisht shoqërohen edhe veprime të tjera prioritare të qeverisë që lidhen me trajtimin e posacëm të shtresave të nevojë që preken drejtpërdrejt nga këto reforma. Natyrisht, ne nuk jemi kemi ndërmend të rrënjosim përfitimin parazitar asistencial, por po hartojmë skema të stimulimit proaktiv dhe përfshirjes së këtyre shtresave në zhvillimin e vendit.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni të ndalem pak edhe në reformën që kemi ndërmarrë për përmirësimin e gjyqësorit dhe prokurorisë. Të gjithë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të detyruar të përballojmë kosto shtesë për performancën e këtij sistemi. Gabimi ynë tradicional është se gjithmonë jemi marrë me aspektin fundor të problemit dhe asnjëherë me shkakun që gjeneron atë problematikë që e njohim të gjithë. Kështu psh në këto vite tranzicioni ne kemi atakuar gjykatat më shumë se prokurorinë apo policinë gjyqësore. Madje këtë atakim e kemi bërë në emër të pavarësisë së gykatave. Në fakt nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi thelluar dobësitë e sistemit, me të cilat jemi marrë në mënyrë të pastudiuar mirë dhe kemi krijuar "alibi" për të mbrojtur, shpesh herë nga pakujdesia, gjyqtarë vërtetë të korruptuar.
Filozofia jonë këtë radhë është respektim i plotë i pavarësisë së gjykatave dhe forcim i kapaciteteve të Prokurorisë së Shtetit dhe strukturave të hetimit. Sigurisht kjo nuk do të thotë se gjyqtarët do të lihen jashtë vëmendjes, por ne jemi për të forcuar kapacitetet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për kontrollin e gjykatave dhe pastrimin e radhëve të gjyqtarëve nga të korruptuarit dhe të paaftët.
Në këtë kuadër ne kemi filluar një reformë të gjerë legjislative dhe strukturore të këtij sistemi. Dy javë më parë ne miratuam një paketë aktesh të rëndësishme që forcojnë më shumë prokurorinë, dhe organizojnë më mirë gjyqësorin për t'iu përgjigjur sfidave të kohës. Krijimi i gjykatave të krimeve të rënda, do të shërbejë si hallkë fundore e rëndësishme e goditjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve. Gjithashtu, përcaktimi i një skeme të re dhe të harmonizuar të shpërblimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shënon një hap të rëndësishëm për rritjen e motivimit në detyrë të këtyre trupave. Përmirësimi i legjislacionit proçedural penal dhe atij penal, do të kontribuojë për më shumë drejtësi dhe transparencë në punën e gjykatave.
Jemi në përfundim të plotësimit të këtij kuadri ligjor me ligjin për mbrojtjen e dëshmitarit dhe të akteve të tjera që rregullojnë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kushte më të mira pune.
Reforma legjislative në terësi që po zhvillojmë, po na sjell gjithnjë e më shumë afër standarteve europiane. Ligji për Këshillin e Ministrave dhe Kodi i Proçedurave Administrative, sigurojnë një terren të përshtatshëm ligjor për zhvillimin e një proçesi legjislativ të hapur dhe profesional. Aktet ligjore ndërkombëtare që po vazhdojmë të nënshkruajmë dhe ratifikojmë po e sjellin më pranë zbatimin e drejtëpërdrejtë të të drejtës ndërkombëtare në Gjykatat dhe institucionet tona ekzekutive. Gjithnjë e më shumë presioni pozitiv i ligjit ndërkombëtar po ndjehet në vendimmarrjen tonë.
Ky është modeli i Shqipërisë së re Europiane që kemi projektuar. Për këtë model jemi votuar dhe do ta realizojmë atë sa më shpejt. Dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe të shoqërisë civile që të vazhdojnë të jenë kontribues real në realizimin e këtij modeli.
Ftoj opozitën në mënyrë të veçantë të jetë pjesë e kësaj skeme integruese.
Faleminderit.