Informaliteti në 2024 u rrit ? Inspektoriati i Punës: U zbuluan më shumë shkelje falë Inteligjencës Artificiale

Gjatë vitit të shkuar, Inspektorati i Punës gjeti më shumë punonjës informalë në subjektet e inspektuara, në raport me vitin 2023.
“2.600 është më i madh se viti i kaluar, 32% më shumë në rritje. Të gjithë këta punonjës janë vendosur në skemën e sigurimeve shoqërore dhe janë formalizuar brenda procesit të inspektimit. Informaliteti është i shfaqur në tregti, hoteleri-turizëm, e lidhur me sezonalitetin e këtij sektori; më pas vjen sektori i ndërtimit, që ka 25% të informalitetit të identifikuar, dhe më pas vjen sektori prodhues,” tha Eljo Muçaj, kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Një problem tjetër që vijon të jetë prezent është mungesa e kontratës së punës, ku vetëm gjatë vitit 2024, Inspektorati i Punës gjeti afro 4.000 punëmarrës pa kontrata individuale. Kjo shifër është në rritje me 58% në raport me 2023.
“Kontrata e punës është element bazë në një marrëdhënie pune. Aty fillon një marrëdhënie e drejtë dhe e ndershme. Numri i rritur është i lidhur edhe me planifikimin me bazë risku, duke u drejtuar te subjektet që kanë qenë më pak të rregullt në zbatimin e legjislacionit,” u shpreh Eljo Muçaj.
Sipas kryeinspektorit Eljo Muçaj, numrat e rritur nuk tregojnë përkeqësim të situatës së informalitetit në treg, por lidhen me përmirësimin e cilësisë së inspektimit, falë përdorimit të inteligjencës artificiale.
“Ne në janar të 2024 kemi lançuar një sistem inovator, MIRA, që na ka ndihmuar për të bërë një punë më të mirë dhe për të rritur efikasitetin. Ne identifikonim elementë të informalitetit në 40% të inspektimeve tona, me MIRA identifikimi ka shkuar në 65%. Punonjësit e padeklaruar, informaliteti i zi, gjatë viteve të mëparshme kërkonin 12 inspektime për të identifikuar një punonjës informal, ndërsa gjatë vitit 2024 janë dashur vetëm 3.5 inspektime,” deklaroi kryeinspektori Eljo Muçaj.
Në vitin 2024, Inspektorati i Punës gjobiti 210 subjekte me vlerë afro 54 milionë lekë për informalitet dhe shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
/vizionplus.tv