Instituti i bashkive të Shqipërisë thirrje PD: Mos braktisni Reformën Territoriale

Agron Haxhimali nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë i ka bërë thirrje opozitës që të mos bojkotojë Komisionin e Reformës Territoriale.
Në emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitaj në RTSH, Haxhimali tha se bojkoti nuk është zgjidhje dhe se opozita duhet të qëndrojë në tryezën e Reformës Territoriale si detyrim ndaj qytetarëve që e kanë votuar.
Sipas tij, opozita duhet të mbetet pjesë e procesit, të artikulojë mendimet e saj dhe të përfaqësojë interesat e votuesve.
“Opozita mban mbrapa qytetarët e tyre, votuesit e tyre dhe humbin besimin. Ka shumë anë negative. Shumë kritik jam për opozitën. Pse e kërkoi këtë komision opozita pa një mendim të thelluar strategjik, pa ditur cilat do të ishin instrumentet e saj bllokues apo se çfarë do të përfitonte opozita. Bojkoti nuk është zgjidhje, më mirë të vazhdonte lojën e saj me pozita të barabarta, por përpara se të ndërtosh një Komision me kundërshtarin tënd, ti duhet të ulesh paraprakisht. Çfarë hapësire ka për mendimet e PD, çfarë për mendimet e PS. Nuk jam për bojkot, por që të rezistojnë në atë tavolinë. Opozita e ka humbur debatin me mazhorancën, por duhet ta fitojë me qytetarët, e kanë detyrim”, tha ai.
/rtsh.al/