Integrimi/ Kaja Kallas: Shqipëria ka shënuar progres, detyra është të ruajë ritmin e reformave

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, prezantoi gjetjet e raportit vjetor të Komisionit Evropian për Zgjerimin, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij procesi për sigurinë e Evropës.
Kallas e renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të avancuara drejt anëtarësimit në BE, së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Ajo vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave nga Shqipëria në pak më shumë se një vit, por theksoi se vendi duhet të ruajë ritmin dhe të përshpejtojë reformat.
“Për herë të parë, ne prezantojmë udhërrëfyes për negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Këto katër vende janë më të avancuarat në rrugën drejt anëtarësimit. Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Detyra tani është të ruajë këtë ritëm duke përshpejtuar reformat", tha Kallas.
Pas hapjes së të gjithë grupkapitujve, Shqipërisë i kërkohet të vijojë me zbatimin e reformave. Kallas theksoi se përparimi drejt anëtarësimit do të varet nga rezultatet dhe respektimi i shtetit të së drejtës, ndërsa detyrimet e marra përsipër do të vijojnë edhe pas hyrjes në union.
“Meritat dhe reformat do të vazhdojnë të përcaktojnë ritmin e anëtarësimit, ashtu si edhe respektimi i shtetit të së drejtës dhe i të drejtave themelore. Dua të theksoj se angazhimet e ndërmarra gjatë rrugës drejt anëtarësimit nuk përfundojnë pas hyrjes në Bashkimin Evropian", vijoi Kallas.
Lajmi kryesor:

