Integriteti i informacionit në epokën digjitale, Suard: Sfida të reja për informimin dhe demokracinë

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Mbrojtja e integritetit të informacionit, lufta kundër dezinformimit dhe përgjegjësia e platformave digjitale ishin në fokus të konferencës “Who Protects Information Integrity? EU Approaches and French Experience”, zhvilluar sot në Shtëpinë e Evropës (Europa House) në Tiranë.
Konferenca u organizua nga “Faktoje”, në partneritet me “Hibrid.info” dhe ambasadat e Francës në Shqipëri dhe Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, medias, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.
Në qendër të diskutimeve ishte përgjegjësia e aktorëve publikë dhe privatë për mbrojtjen e integritetit të informacionit në një mjedis gjithnjë e më shumë të ndikuar nga manipulimi, inteligjenca artificiale dhe platformat digjitale.
Në fjalën e hapjes, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, u shpreh se situata ndërkombëtare dhe zhvillimi i rrjeteve sociale po krijojnë sfida të reja për informimin publik dhe demokracitë.
“Mobilizimet në rrjetet sociale po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si perceptohen ngjarjet, përfshirë ato ndërkombëtare”, deklaroi Suard, duke theksuar se në trajtimin e krizave, emocionet shpesh përforcohen më shumë sesa përpjekjet për të kuptuar situatën.
Sipas saj, moderimi dhe përmbajtja po humbasin terren, ndërsa aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë po zhvillojnë strategji gjithnjë e më agresive në fushën e informacionit, përmes operacioneve të ndikimit, manipulimit dhe amplifikimit artificial të përmbajtjeve në rrjetet sociale.
Ambasadorja nënvizoi se manipulimi i informacionit nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë është në rritje dhe se këto praktika synojnë të thellojnë polarizimin e debatit publik dhe të shfrytëzojnë dobësitë e brendshme të shoqërive demokratike.
“Franca është veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre manovrave armiqësore të informacionit”, tha Suard, duke shtuar se mbrojtja e integritetit të informacionit dhe lufta kundër manipulimit të tij janë shndërruar në politika të reja publike dhe në komponentë të rëndësishëm të politikës së jashtme franceze.
Ajo theksoi nevojën për një qasje të integruar, që përfshin reagimin e shpejtë ndaj informacioneve të rreme, diversifikimin e mënyrave të komunikimit, bashkëpunimin me mediet, verifikuesit e fakteve dhe ndikuesit në rrjetet sociale, si dhe forcimin e qeverisjes së platformave digjitale.
Suard prezantoi edhe përpjekjet e Francës për zhvillimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik dhe kundërveprimit informativ, përfshirë nismën “French Response”, e cila, përmes një qasjeje me humor, synon të demaskojë dhe zhvlerësojë përmbajtjet dezinformuese.
“Është koha të zgjohemi”, u shpreh ambasadorja, duke iu referuar nevojës që edhe Shqipëria të forcojë kapacitetet e saj për përballimin e këtyre sfidave.
Ajo përmendi gjithashtu bashkëpunimin franko-gjerman për krijimin e një “mburoje informative” në shërbim të veprimit të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Suard vlerësoi si një zhvillim të rëndësishëm miratimin nga Shqipëria të strategjisë kombëtare për luftën kundër dezinformimit, duke theksuar se diskutime të tilla kontribuojnë në zbatimin dhe përmirësimin e saj.
Drejtori ekzekutiv i European Movement Albania, Gledis Gjipali tha se diskutimi është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet kur Shqipëria po përafron aktin për shërbimet digjitale me kuadrin evropian.
“Sapo të miratohet në Kuvend, ky akt do të sjellë detyrime për mediet dhe shoqërinë civile. Kjo kërkon ndërthurje dhe bashkëpunim mes këtyre aktorëve, por edhe përcakton detyra dhe përgjegjësi për të gjithë ne”, deklaroi Gjipali.
Drejtorja ekzekutive e “Faktoje”, Klodiana Kapo u ndal te roli i gazetarisë profesionale në përballjen me fluksin e madh të informacionit dhe vështirësinë për të dalluar të vërtetën nga përmbajtjet e manipuluara.
“Gazetaria ka në qendër integritetin, për të dhënë faktet dhe të vërtetën. E vërteta është vetëm një”, tha Kapo, duke theksuar se zhvillimi teknologjik ka krijuar një avantazh të madh për shpërndarjen e informacionit të paverifikuar.
Sipas saj, gazetaria e pavarur dhe profesionale mund të duket “naive” në kushtet aktuale, por mbetet më e domosdoshme se kurrë.
“Kërkohet të kuptohet se kush fshihet pas narrativave të caktuara. Gjysmë e vërteta është helmi që ka vrarë gazetarinë”, u shpreh Kapo, duke kritikuar edhe publikimin e artikujve pa autorë në portale që vështirë identifikohen.
Ajo nënvizoi se “Faktoje” synon të nxisë mendimin kritik, verifikimin e fakteve dhe llogaridhënien, ndërsa kërkoi që legjislacioni për integritetin e informacionit të marrë në konsideratë edhe fushatat elektorale.
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi solli në vëmendje raste të përdorimit të imazheve të manipuluara në debatet publike, duke iu referuar protestave të zhvilluara kundër një projekti turistik në Zvërnec.
Ajo prezantoi një fotografi ku shfaqej një vajzë me një poster që paraqiste Shqipërinë të ndarë në dy pjesë, me flamurin shqiptar dhe atë izraelit. Luarasi përmendi gjithashtu një tjetër imazh që paraqiste një gardh në Zvërnec, me tabela dhe flamuj të Shqipërisë dhe Izraelit.
Sipas saj, verifikimi i fakteve tregoi se imazhi ishte i montuar dhe se elementët e paraqitur në të nuk ekzistonin në realitet, duke ngritur dyshime se fotografia ishte prodhuar përmes inteligjencës artificiale.
“Debati për një projekt turistik u kthye në një histori për njerëz që po blejnë atdheun tonë”, tha Luarasi, duke theksuar se raste të tilla tregojnë se si një çështje konkrete mund të shndërrohet në një narrativë të manipuluar, me ndikim në perceptimin publik.
Në konferencë u diskutua gjithashtu për tendencat e dezinformimit në Shqipëri dhe Kosovë, narrativat ndërkufitare, përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale, ndërhyrjet e huaja në hapësirën informative dhe rolin e platformave në shpërndarjen e tyre.
Ekspertët trajtuan edhe transparencën dhe llogaridhënien e platformave digjitale, zbatimin e Aktit për Shërbimet Digjitale të BE-së, përgjegjësitë institucionale, edukimin mediatik, gazetarinë profesionale dhe bashkëpunimin mes medias, institucioneve dhe shoqërisë civile.
Konferenca u përmbyll me diskutime mbi masat prioritare për forcimin e integritetit të informacionit, rritjen e qëndrueshmërisë demokratike dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional gjatë vitit të ardhshëm.
Faktoje, kush e mbron integritetin e infomacionit, qasjet e BE dhe pervoja franceze Foto: Florj... 1 nga 14/gj.m/j.p/r.e/