Interes për vendvarrimet prehistorike, arkeologët e huaj vizitojnë Tumën e Kamenicës në Korçë

Një grup arkeologësh të njohur dhe pedagogë të Universitetit të Salzburgut kanë vizituar Tumën e Kamenicës, një nga sitet më të njohura të historisë së arkeologjisë në vendin tonë.
Ata thanë se Shqipëria ka vende të shumta që duhen vizituar, por kanë nevojë për investime në kërkim dhe zbulim. Arkeologët shtojnë se përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e qeverisë shqiptare, por edhe e BE-së, që sipas tyre duhet të ofrojë më shumë për vendet e Ballkanit.
“Tuma e Kamenicës është një nga vendet më interesante që kam parë. Një nga sitet më të mirëmbajtura. Problemi është se këtu institucionet duhet të kenë më tepër vëmendje ndaj arkeologjisë, të investojnë më tepër në sajtet kulturore të trashëgimisë, e nga ana tjetër edhe ne si vende të BE-së duhet të jemi më të përqendruar drejt vendeve të Ballkanit”, tha arkelogu Rubeer Bretëiser.
“Ishim në Shkodër, Krujë, sot jemi në Korçë, më pas do të ikim në Butrint. Jemi një grup arkeologësh dhe profesorësh nga një universitet i njohur dhe duam të njihemi me historinë tuaj. Një nga gjërat që do të veçoja është vëmendja që kërkojnë këto vende arkeologjike nga institucionet; duhet më tepër investim ekonomik, e nga ana tjetër do të shkruajmë një raport për Austrinë, për të qenë më e vëmendshme me fonde drejt vendit tuaj”, shprehet Martin Chiefberger, arkeolog.
Në të njëjtën linjë është edhe arkeologu shqiptar Olsi Lafe, i cili shton se me rritjen e numrit të vizitorëve në këto site, rritet edhe nevoja për investime.
“Nuk janë vizitorët e thjeshtë, por janë individë profesionistë të antikitetit që vijnë në Shqipëri dhe kanë interes të kuptojnë më shumë nga pamja vizuale dhe përmbajtësore, siç është Tuma e Kamenicës. A bëhet mjaftueshëm në disa raste? Bëhet. Por a duhet bërë më tepër? Patjetër. Investimet në kulturë kërkojnë pasion, vetëmohim; nuk të kthehet në pikëpamje ekonomike, por kthehet në pikëpamje të tjera”, arkeologu Olsi Lafe.
Tuma e Kamenicës është një nga më të mëdhatë e më të njohura deri më tani, ku janë evidentuar varre, skelete kockore, objekte arkeologjike si qeramikë, armë, stoli prej bronzi, hekuri, argjendi, ari, qelibari dhe kocke. Ky vendvarrim prehistorik është monument kulture, ku janë zbuluar rreth 425 skelete dhe 3.600 objekte.
/vizionplus.tv