E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë ekskluzive me Mimi Kodhelin: Gratë që angazhohen në pushtet përballen çdo ditë me paragjykime të vazhdueshme

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli në një intervist për Fax News ka folut për karrierën e gjatë në politikë ku ka shërbyer dhe ka thyer barriera duke ndryshuar rregullat e lojës për gratë në pushtet dhe në strukturat e sigurisë, rolin e Shqipërisë në NATO dhe nevojën për profesionalizëm dhe përgatitje në sektorin e sigurisë.

“Gratë që angazhohen në pushtet përballen çdo ditë me paragjykime të vazhdueshme,” thotë Kodheli. “Është një sfidë e dyfishtë: duhet të tregosh aftësitë e tua dhe të fitosh respektin që merr një burrë në të njëjtin nivel. Ka ende shumë për të bërë, por përfaqësimi i grave duhet të ketë ndikim real, jo vetëm simbolik.”

Duke folur për përvojën e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, Kodheli thekson rëndësinë e pranisë së grave në strukturat e sigurisë: “Në repartet ushtarake dhe në sektorin e sigurisë, gratë janë gjithmonë gati për çdo situatë. Ata sigurojnë që vendi të mos jetë i papërgatitur dhe ndihmojnë në krijimin e një ambienti më bashkëpunues dhe më të balancuar. Gratë sjellin një frymë më njerëzore dhe më të qëndrueshme në gjithë strukturën.”

Ajo gjithashtu nënvizon se roli i Shqipërisë në NATO duhet të jetë më aktiv. “Anëtarësimi ynë në NATO nuk është vetëm një garanci sigurie, por një përgjegjësi për të kontribuar, për të qenë të përgatitur dhe për të mbështetur misionet që lidhen me paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë,” shprehet Kodheli.

Për vajzat dhe gratë e reja që duan të angazhohen në politikë ose në sektorin e sigurisë, Kodheli ka një mesazh të qartë: “Ndryshimi kërkon guxim, përgatitje dhe këmbëngulje. Duhet të jeni të gatshme të përballeni me sfida, sepse roli i grave në politikë dhe në institucionet e sigurisë është kyç për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe institucioneve më të forta.”

Për Mimi Kodhelin, karriera politike dhe angazhimi në siguri nuk janë vetëm detyra publike, por edhe një mision personal për të frymëzuar të rinjtë dhe për të treguar se gratë mund të jenë liderë të vendosur dhe të aftë, që bëjnë ndryshimin në mënyrë konkrete. Ajo mbetet një nga figurat më të spikatura që vazhdon të sfidojë paragjykimet dhe të forcojë pozicionin e grave në institucionet shqiptare, duke dhënë një shembull të qartë për të gjithë brezat e rinj./FAXNEWS

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›