E Hënë, 2 Nëntor 2026

Investime në zonat malore, Mazniku: Gati portali “paketamaleve.gov.al” për aplikime

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Portali www.paketamaleve.gov.al, nga sot është aktiv për të gjithë të interesuarit që duan të aplikojnë për të investuar në tokën që posedojnë në zonat malore të vendit.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku publikoi në rrjete sociale portalin e ri dhe hapat që ndiqen për të aplikuar aty.

“Shprehni interesin për të investuar në tokën që posedoni dhe bëhuni pronarë të saj me Paketën e Maleve duke ndjekur disa hapa shumë të thjeshtë në portalin www.paketamaleve.gov.al”, tha Mazniku.

Ministri bëri të ditur se, “për investimin tuaj, përfitoni lehtësi fiskale, 10 vjet pa asnjë taksë”.

“Paketa e Maleve” është ligji i ri i sapomiratuar për investime në zonat malore, e ofruar për të gjithë të interesuarit, qofshin emigrantë apo rezidentë, të cilët kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar në tokën e tyre.

Nisma për “Paketën e Maleve” përmes projektit “Investo në tokën tënde”, synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit, falë politikave të reja të mbështetjes kundrejt investitorëve.

Paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.

/j.p//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›