Investimi në kanalin ujitës në Kurbin përmirëson vaditjen në 612 ha tokë bujqësore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Përmirësimi i infrastrukturës së ujitje-kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin, duke i ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave bujqësore veçanërisht tani gjatë sezonit veror.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga rehabilitimi i kanalit ujitës U-14, në Kurbin.
Denaj tha se, përgjatë gjithë gjatësisë së tij prej 6,333 metrash, ky investim përbën një ndërhyrje të rëndësishme në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ujitëse në zonë.
“Falë këtij investimi, përmirësohet ndjeshëm ujitja në një sipërfaqe prej 612 hektarësh tokë bujqësore, duke garantuar një cikël prodhimi më të sigurt, rritje të rendimentit dhe ulje të kostove për fermerët e zonës”, tha Denaj.
Rehabilitimi i veprave ujitëse u vjen në ndihmë banorëve dhe fermerëve të zonës, për të garantuar prodhimin dhe cilësinë e produkteve bujqësore.
Ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhen në gjithë vendin, veçanërisht në zonat me potencial të lartë bujqësor.
Investimet në këtë sektor sigurojnë që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre gjatë sezonit veror, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve në stinën e dimrit. /j.p/