Irani: Nuk do të lejojmë SHBA-në të minojë sovranitetin tonë në Ngushticën e Hormuzit

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, ka theksuar sërish kontrollin e plotë të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, pas sulmeve të fundit amerikane.
Duke folur në ceremoninë e përkujtimit të komandantit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Gharibabadi akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkelje të armëpushimit.
Ai deklaroi se sovraniteti i Iranit mbi këtë rrugë ujore “tashmë është vendosur”, raporton agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim.
“Nuk do t’i lejojmë ata të hedhin asnjë hap për të minuar sovranitetin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit me këto veprime ushtarake”, tha Gharibabadi.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më strategjike të botës për transportin e naftës, ku kalon një pjesë e madhe e eksporteve të naftës nga Gjiri Persik.
Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së kanë mbetur të larta vitet e fundit, veçanërisht pas sulmeve të ndryshme ushtarake dhe shkëmbimeve verbale mes dy vendeve.
/rtsh.al/