Iu dha lamtumira e fundit akademik Nexhat Dacit

PRISHTINË, 2 janar /ATSH/ Me nderime shtetërore iu dha sot lamtumira e fundit akademikut dhe njërit nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhat Daci.
Ai u varros në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.
Para ceremonisë së varrimit është mbajtur akademi përkujtimore dhe homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Në akademi është nderuar jeta, vepra dhe kontributi që Daci dha për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Nga krerët e shtetit u vlerësua lart kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës, me ç’rast u tha se ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës iku nga kjo jetë në moshën 81-vjeçare. /KosovaPress/