E Martë, 3 Nëntor 2026

Izraeli “fërkohet” me Egjiptin, merr nën kontroll një korridor kufitar që dyshohet se shfrytëzohej nga Hamasi

Pas 8 muajsh luftime, Izraeli ka deklaruar se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin.

Ky veprim  mund të ndërlikojë raportet e Izraelit me Egjiptin, pasi Kajro zyrtare është ankuar për avancimet e ushtrisë  drejt kufirit të saj.

Sipas Tel Avivit  në  këtë korridor ka tunele përmes së cilave janë transportuar armë dhe mallra të tjera për Hamasin.

“Korridori Filadelfi ka shërbyer si linjë oksigjeni për Hamasin, përmes së cilit Hamasi ka kontrabanduar armë në Gazë në baza të rregullta”, u shpreh Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Por Egjipti tha se çdo rritje e numrit të trupave në zonën strategjike kufitare do të përbënte shkelje të Marrëveshjes së Paqes që dy vendet  kanë arritur  në vitin 1979.

Po ashtu televizioni shtetëror në Egjipt, raportoi se nuk ka pasur asnjë komunikim me palën izraelite  sa i përket pretendimeve për gjetjen e tuneleve në kufi.

Kajro  vazhdimisht ka shprehur shqetësime se ofensiva izraelite mund të shtyjë palestinezët përtej kufirit, një skenar që e ka cilësuar të papranueshëm.

Korridori është pjesë e një zone më të madhe çmilitarizimi përgjatë të gjithë kufirit mes dy vendeve. Sipas Marrëveshjes së Paqes, secilës palë i lejohet të dislokojë vetëm një numër të vogël trupash apo rojesh kufitare në këtë zone. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›