Izraeli, plan sekret për vendbanimet, miratohen 34 lagje të reja në Bregun Perëndimor, duke sfiduar hapur SHBA-në

Kabineti izraelit i Sigurisë ka miratuar në fshehtësi ndërtimin e 34 vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, duke shënuar një rekord historik brenda një seance të vetme. Ky vendim u mor gjatë fushatës ushtarake kundër Iranit, ndërsa qeveria u përpoq ta mbante sekret për të shmangur presionin nga presidenti amerikan Donald Trump.
Mediat vendase raportojnë se projektet përfshijnë zona të thella në veri të vendit, ku deri më sot prania e forcave izraelite ka qenë mjaft e rrallë. Me këtë lëvizje të fundit, numri i vendbanimeve të paligjshme të miratuara nga qeveria Netanyahu që prej vitit 2022 ka arritur në 103. Gjatë takimit, kreu i Shtabit të Ushtrisë, Eyal Zamir, nuk e kundërshtoi vendimin por shprehu shqetësim për mungesën e forcave për t’i monitoruar këto pika.
Aktualisht rreth 750 mijë izraelitë jetojnë në territore të pushtuara, pavarësisht se OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar i konsiderojnë këto ndërtime si plotësisht të paligjshme. Zyrtarët palestinezë kanë lëshuar alarmin se këto hapa praktikisht i japin fund shpresës për krijimin e një shteti të pavarur palestinez në të ardhmen. Ata akuzojnë Izraelin se po shfrytëzon vëmendjen globale ndaj konfliktit me Iranin për të aneksuar në heshtje tokat në Bregun Perëndimor.
Nga ana tjetër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka cilësuar pushtimin si shkelje të ligjit dhe ka kërkuar evakuimin e menjëhershëm të këtyre zonave. Ndërsa situata mbetet e tensionuar, qeveria izraelite ka zgjedhur të heshtë duke mos dhënë asnjë koment zyrtar për këto raportime që mund të ndezin sërish reagime të ashpra diplomatike. E gjithë kjo lëvizje po shihet si një provë e vërtetë për marrëdhëniet mes Izraelit dhe administratës së re në Uashington në mes të një lufte rajonale.
/rtsh.al/