E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli s’lejon kthimin e civilëve, mijëra palestinezë të bllokuar. Hamasi e Tel Avivi akuzojnë njëri-tjetrin

Mijëra palestinezë të zhvendosur janë penguar të kthehen në shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës. Kjo ndodhi pasi Izraeli bllokoi një rrugë kryesore, duke akuzuar Hamasin për shkeljen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.

Mosmarrëveshja erdhi teksa Hamasi liroi katër ushtarë izraelite  dhe Tel Avivi  nga ana tjetër liroi  200 të burgosur palestinezë.

Qeveria izraelite tha se banorët e Gazës nuk do të lejohen të udhëtojnë në veri derisa të zbatohen planet për lirimin e Arbel Yehud, për të cilën Hamasi ka këmbëngulur se është gjallë dhe do të lihet e lirë javën e ardhshme.

Këtë hap të Tel Avivit  Hamasi e quajti shkelje të marrëveshjes se armëpushimit.

“Okupimi po ngec nën pretekstin e të burgosurës  Arbel Yehoud, pavarësisht se lëvizja informon ndërmjetësit se ajo është gjallë dhe ofron të gjitha garancitë e nevojshme për lirimin e saj. Hamasi e konsideron Izraelin përgjegjës për vonesën në zbatimin e marrëveshjes”, tha grupi milinant Hamas.

Sakaq Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka deklaruar  se ka folur të shtunën  me mbretin e Jordanisë për ndërtimin e mundshëm të banesave dhe zhvendosjen e më shumë se 1 milion palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje.

Po ashtu  kreu i Shtëpisë së Bardhë ka udhëzuar ushtrinë amerikane të heqë ndalimin e vendosur nga ish-presidenti Joe Biden për furnizimin me bomba për Izraelin,

Ndërkohë  situatë kritike paraqitet në Liban. Ministria libaneze e shëndetësisë tha se ushtria izraelite hapi zjarr këtë të dielë ndaj banorëve  në jug që përpiqeshin të ktheheshin në fshatrat e tyre, duke vrarë të paktën 11 persona dhe plagosur 83 të tjerë.

Afati i fundit për tërheqjen izraelite nga Libani jugor skadoi mengjesin e te djeles por trupat do të mbeten në disa zona pasi sipas Tel Avivit  marrëveshja e  armëpushimit me Hezbollahun nuk është zbatuar plotësisht./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›