JD Vance udhëheq negociatat e SHBA-së me Iranin, shërbimi sekret garanton sigurinë e zëvendëspresidentit në Pakistan

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance do të udhëheqë delegacionin negociator të SHBA-së në bisedimet që do të zhvillohen në Islamabad të Pakistanit të shtunën në mëngjes. Kështu ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
“Vance do të shoqërohet nga të dërguarit kryesorë të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner”, tha sekretarja e shtypit Karoline Leavitt gjatë konferencës për shtyp.
Raportet e mëparshme kishin thënë se bisedimet mund të mbaheshin të premten dhe se Vance mund të mos merrte pjesë për arsye sigurie.
Megjithatë, Leavitt konfirmoi se ai do të jetë i pranishëm dhe se administrata i beson plotësisht Shërbimit Sekret amerikan për të garantuar sigurinë e zëvendëspresidentit dhe të gjithë ekipit negociator.
Irani thuhet se preferon që Vance të udhëheqë bisedimet nga ana amerikane, duke akuzuar Witkoff-in dhe Kushner-in se kanë keqparaqitur pozitat e Teheranit.
Gjithashtu Vance është një nga pak zyrtarët e lartë të administratës që raportohet se ka qenë kundër nisjes së luftës kundër Iranit.
Leavitt nuk sqaroi nëse bisedimet do të jenë direkte mes palëve apo nëpërmjet ndërmjetësve, siç preferon zakonisht Irani. Pakistani po luan rol ndërmjetësues në këtë proces.
/rtsh.al/