“Jam rritur me gjyqet publike”/ Balluku: Nuk e kam penguar kurrë hetimin si ministre. Unë besoj tek kjo drejtësi

Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, këtë të premte, 6 mars, i la detyrën ministrit të ri në këtë dikaster, Enea Karakaçi.
Kjo ishte dalja e saj e fundit publike si zv/kryeministre dhe ministre.
Gjatë fjalës së sa Balluku, reagoi për herë të parë lidhur me akuzat e SPAK.
Ajo tha se nuk ka pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe deklaroi se nuk e ka penguar kurrë drejtësinë. Përkundrazi ajo theksoi se nxit prokurorinë që të hetojë për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën.
“Kam marrë një vendim personal, me vullnet të lirë, që të hesht për një çështje juridike, pasi unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale dhe as në banaqe mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj ashtu siç e parashikon Kushtetuta, kodet apo ligjet në fuqi.
Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos flas dhe të mos anatemoj, por të jem konsistent në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.
Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS-së, si një produkt i një Shqipërie europiane, duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për këtë vend, pasi kjo reformë u krye për të kthyer besimin e qytetarëve tek një drejtësi e drejtë dhe e pavarur.
Unë besoj tek kjo drejtësi dhe nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur ajo godet kundërshtarët e mi politikë, pasi unë nuk kam kundërshtarë të tjerë, dhe as ta anatemoj edhe kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë.
Nuk do të më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë dhe gjyqtarë, pasi besoj se ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç e kam bërë edhe unë, dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, nga gjysmë të vërtetat apo nga gënjeshtrat.
Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam trajnuar dhe kalitur që e vogël”, tha ajo
“Prokurorë e gjyqtarë do bëjnë detyrat e tyre pa ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Hetimi që ka nisur prej muajsh nuk e kam penguar kurrë as në pozicionin tim si ministër apo si qytetare e Republikës. Drejtësia të vijojë të nxjerrë të vërtetën. Nuk kam as 300, as 30 apartamente.
Nuk kam as limuzina as jahte as helikoptere. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet me lehtësinë me të madhe këtë por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqe publike.
Ndoshta kurrizi ma mban sepse jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton për shkak të rezultateve që kjo qeveri ka sjellë”, tha më tej ish zv.kryeministrja.
Më tej Balluku u ndal edhe tek punët dhe arritjet në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, gjatë gjithë periudhës që ka qenë në krye të kësaj ministrie. Duke nisur nga rrugët, autostradat, tunelet dhe tjetërsimi i energjisë elektrike, ku sipas saj janë kaluar pengesa të mëdha, Balluku tha se ajo dhe i gjithë grupi i punës në këtë ministri duhet të ndjehen krenarë për arritjet e bëra.
“Koha ikën, por punët mbeten”, tha ajo.
Në fund, Belinda Balluku falenderoi dhe kryeministrin e vendit Edi Rama për gjithë besimin dhe mbështetjen që i ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit të saj në politikë. Ku shtoi, se gjithnjë ka marrë shembullin e tij dhe ka ecur pas gjurmëve të tij
Kujtojmë se Belinda Balluku u shkarkua nga posti si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas ndryshimeve që kryeministri Edi Rama bëri në kabinetin e tij qeveritar.
LEXO EDHE: Ndryshimet në qeveri u miratuan dje në Kuvend, betohen sot para Presidentit ministrat e rinj