E Diel, 1 Nëntor 2026

“Janë pronarët që vendosin” – Rama për Zvërnecin dhe marrëveshjet me investitorët

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Mal të Zi, Kryeministri Edi Rama  ka udhëtuar drejt Vlorës, ku ka mbërritur me helikopter. Kreu i qeverisë po zhvillon një bisedë me banorët e zonës së Zvërnecit në lidhje me projektin e resortit turistik, që ka nxitur protesta në Tiranë dhe disa rrethe.

Gjatë fjalës së tij, teksa ka folur për investimet që priten të kryhen në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, kryeministri Rama tha se Sazani është çështje e Qeverisë, ndërsa Zvërneci është çështje private. Sipas Ramës, pronarët e pronave në Zvërnec të Vlorës merren vesh privatisht me investitorët për shitjen ose jo të tokave.

“Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshje kanë bërë pronarët e pronës me investitorët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së Presidendit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë se Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Kështu që Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët, jo qeveritë apo protestuesit. Përsa kohë ajo tokë është e blerë nga investitorët, ajo tani është tokë e investitorit”, tha mes të tjerash Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›