E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: 16 biznese prezantojnë modele të ekonomisë qarkulluese në Future2Tech

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Ripërdorimi, riciklimi dhe riqarkullimi i materialeve janë në fokusin e prezantimit të 16 bizneseve në panairin Future2Tech, ku Ministria e Mjedisit është e pranishme me një stendë të dedikuar për ekonominë qarkulluese.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur se 16 bizneset pjesëmarrëse janë mbështetur përmes programit “EU for Circular Economy” që merren me ripërdorimin dhe riciklimin e materialeve, me synim promovimin e modeleve të ekonomisë qarkulluese në Shqipëri.

“Jam në ditën e dytë të panairit Future2Tech, ku Ministria e Mjedisit ka stendën e saj së bashku me 16 biznese që janë financuar nëpërmjet programit EU for Circular Economy”, tha Jaupaj.

Sipas tij, bizneset e përfshira në këtë nismë synojnë të japin një model konkret të riqarkullimit të materialeve, duke i kthyer ato në burime me vlerë ekonomike, në vend që të përfundojnë si mbetje.

“Me teknologji, riciklim dhe ripërdorim, ajo që dje do të përfundonte në landfill, sot merr vlerë të re, duke krijuar të ardhura, vende pune dhe më pak mbetje për mjedisin”, shprehet ministri.

Jaupaj theksoi se mbështetja financiare për këto sipërmarrje është realizuar përmes nismave të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa përmendi edhe nismën “Dyfisho biznesin tënd”.

“Ndryshimi i mendësisë, ripërdorimi, riciklimi dhe riqarkullimi i materialeve është e vetmja mënyrë për të reduktuar sasinë e mbetjeve në Shqipëri”, deklaroi Jaupaj.

Jaupaj tha se “mbështetja e sipërmarrjeve të gjelbra synon krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe zgjerimin e saj në Shqipëri”.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›