E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Parku Kombëtar i Butrintit, mozaik unik natyror dhe kulturor

TIRANË, 29 mars /ATSH/  Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, vlerësoi rëndësinë e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke theksuar se ai përfaqëson një mozaik të rrallë natyror dhe kulturor.

Sipas ministrit, parku përfshin ligatinat, Liqenin e Butrintit, kanalin e Vivarit, pyjet mesdhetare dhe një histori mijëravjeçare, duke e bërë atë një zonë unike për biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore.

Flora e parkut karakterizohet nga pyje mesdhetare me dafinë, shkozë dhe dushqe, si dhe bimësi ligatinore. Fauna e tij është po aq e pasur dhe përfshin vidra, breshka të ujit, peshq lagunorë dhe shpendë ujorë e migratorë, përfshirë çafkat, rosat e egra dhe kormoranët.

Jaupaj e konsideroi Parkun Kombëtar të Butrintit si një pasuri të jashtëzakonshme të biodiversitetit dhe pjesë të Trashëgimisë Botërore, që dëshmon harmoninë mes natyrës dhe kulturës dhe nxit zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri.

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të parkut, duke e shndërruar atë në një model për ruajtjen e ekosistemeve natyrore dhe për promovimin e vlerave kulturore të vendit.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›