E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jaupaj: Shqipëria anëtare e Këshillit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Gjuetisë dhe Faunës së Egër

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Shqipëria zyrtarisht është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Gjuetisë dhe Faunës së Egër.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili theksoi se Shqipëria iu bashkua vendeve që promovojnë ruajtjen e biodiversitetit përmes menaxhimit të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm të jetës së egër.

Jaupaj u shpreh se “në tryezën e nivelit të lartë të zhvilluar në Tiranë, konfirmuam angazhimin tonë për të kaluar drejt një modeli modern, të monitoruar dhe të bazuar në shkencë për administrimin e faunës së egër dhe burimeve natyrore, në përputhje me standardet europiane dhe kuadrin e ri ligjor të vendit”.

Ministri Jaupaj falënderoi Federatën Shqiptare të Gjuetarëve për kontributin në organizimin e këtij takimi dhe për angazhimin e vazhdueshëm në modernizimin dhe reformimin e sektorit të gjuetisë në Shqipëri.

Shqipëria është zyrtarisht anëtare e Këshillit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Gjuetisë dhe Faunës së Egër (CIC) duke u bashkuar me 29 vende të tjera në rrjetin global të CIC dhe duke krijuar një kornizë për bashkëpunim afatgjatë mbi ruajtjen e jetës së egër, monitorimin dhe zhvillimin e legjislacionit të gjuetisë në vend.

Anëtarësimi u formalizua gjatë një tryeze të rrumbullakët të nivelit të lartë në Tiranë, të bashkorganizuar nga Federata Shqiptare e Gjuetarëve dhe Ministria e Mjedisit.

1 nga 6

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›