E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj dhe homologia e Kosovës vizitojnë Parkun Kombëtar të Dajtit

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj së bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Fitore Pacolli, vizituan Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme pranë Tiranës. “Me një biodiversitet të larmishëm dhe 8 tipe habitatesh natyrore, Dajti mbetet një model i menaxhimit të zonave të mbrojtura, duke ndërthurur natyrën me turizmin dhe aktivitetet rekreative si një destinacion i dashur për të gjithë”, tha Jaupaj në një postim në rrjetet sociale. Ministri Jaupaj u shpreh se Administrata e Zonave të Mbrojtura kujdeset në përditshmëri për parkun në të gjithë sipërfaqen e tij. Gjithashtu Jaupaj dhe Pacolli vizituan edhe fidanishten e parkut kombëtar të Dajtit. “Kjo fidanishte mbetet një element kyç për ruajtjen e biodiversitetit dhe pyllëzimin, duke i dhënë vlerë konkrete punës së përditshme në mbrojtje të natyrës, e njëkohësisht si model të cilin po e aplikojmë edhe në parqe të tjera kombëtare dhe natyrore”, tha Jaupaj. Në takimin e djeshëm Jaupaj dhe ministrja Pacolli u dakordësuan për ndërtimin e mekanizmave të unifikuar të monitorimit, shkëmbimin e të dhënave dhe koordinimin në terren në të dy anët e kufirit, për të adresuar sfidat që lidhen me cilësinë e ujit. /k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›