Java Botërore e Ndërgjegjësimit, Koçiu: Masa për reduktimin e keqpërdorimit të antibiotikëve

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu konfirmoi sot se Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të rëndësishëm për të frenuar rrezikun nga rezistenca ndaj antibiotikëve.
Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike (WAAW), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bashkë me zyrën e OBSH-së në Shqipëri organizuan Konferencën e Ndërgjegjësimit ndaj Antibiotikorezistencës si pjesë integrale e qasjes “Një Shëndet”.
Ministrja Koçiu nënvizoi se “Shqipëria ka vendosur axhendën ‘One Health’ në qendër të politikave të shëndetit publik”.
“Ne jemi angazhuar për të frenuar rrezikun e një kërcënimi global që mund të shkaktojë deri në 40 milionë vdekje të panevojshme deri në vitin 2050, për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve”, u shpreh Koçiu.
Për këtë arsye, Koçiu theksoi se “në këtë drejtim janë ndërmarrë hapa konkretë dhe të rëndësishëm, si krijimi i një rrjeti kombëtar laboratorik për diagnostikimin në kohë reale, ndryshimi i legjislacionit për përdorimin e antibiotikëve dhe masat për reduktimin e keqpërdorimit të tyre”.
/m.m/a.f/