Jennifer Lopez flet hapur për ndarjet: “Kur mbaron, je i vdekur për mua”

NJU JORK, 18 tetor /ATSH/ – Jennifer Lopez ka treguar me sinqeritet se si i përballon ndarjet dhe si arrin të ecë përpara pas një lidhjeje të përfunduar. Gjatë një interviste në “The Howard Stern Show”, aktorja dhe këngëtarja pranoi se është nga ata njerëz që nuk kthehen pas, duke e marrë me humor temën e marrëdhënieve të saj të shumta, sipas “The Independent”.
“Kur mbaroj me dikë, është i vdekur për mua”, tha ajo me buzëqeshje, duke shtuar me ironi: “Do të futem në telashe për këtë! Kjo është arsyeja pse nuk doja të vija kurrë këtu. Por e them me sinqeritet,, unë nuk mbaj inat. Jo që je vërtet i vdekur për mua, por kur diçka përfundon, përfundon. Unë thjesht e pranoj dhe ec përpara”.
Ylli i filmit “Kiss of the Spider Woman” dhe një prej emrave më të njohur në industrinë e argëtimit, Lopez ka qenë e martuar katër herë me Ojani Noa, Cris Judd, Marc Anthony dhe së fundmi me aktorin Ben Affleck.
Marrëdhëniet e saj kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike, por ajo thotë se e ka mësuar me kohë rëndësinë e mbylljes dhe të fokusit te vetja.
Duke kujtuar fillimet e karrierës, Lopez foli me emocion edhe për të dashurin e saj të parë, me të cilin kishte qenë në lidhje për dhjetë vjet, por që tashmë ka ndërruar jetë.
“Nuk kishim mbajtur kontakte pasi u shpërngula nga Bronksi në Los Angeles për të ndjekur ëndrrat e mia në kërcim dhe aktrim”, rrëfeu ajo. “Ai ishte një djalë shumë i mirë, një punëtor i ndershëm në tregun e frutave, por unë doja të bëja diçka më të madhe, të shkoja më tej. Në njëfarë mënyre, unë u rrita përtej asaj lidhjeje.”
Sa i përket situatës aktuale me Ben Affleck, me të cilin është ndarë pas një periudhe të dytë martese që mori shumë vëmendje, Lopez tha se tani po përpiqet ta mbajë jetën e saj romantike më të rezervuar. “Kam jetuar gjithmonë shumë hapur, në sy të publikut. Por këtë herë dua që romanca të jetë diçka shumë më e qetë, më intime dhe më e mbrojtur”, shtoi ajo.
Edhe pse jeta sentimentale e saj ka qenë gjithmonë pjesë e historisë së famës, Lopez duket më e qartë se kurrë për mënyrën se si do ta menaxhojë dashurinë dhe jetën personale në të ardhmen, me qetësi, maturi dhe një ndjenjë të fortë vetëvlerësimi. /Ad.Ab../