E Martë, 3 Nëntor 2026

Jeta moderne po rrit rrezikun për hipertension, mjekët apelojnë për kontroll dhe trajtim

Stili modern i të jetuarit ka rritur rrezikun për t’u prekur nga hipertensioni, i cili është edhe shkaktari i të gjitha sëmundjeve kronike.

Në Ditën Botërore të Hipertensionit, mjekët u kutjojnë qytetarëve të matin dhe trajtojnë tensionin si dhe të zvogëlojnë sasiën e kripës nga dieta ushqimore, si një nga faktorët më madhorë të rrezikut, duke e kufizuar atë deri në dy gramë në ditë.

Shefja e shërbimit të sëmundjeve interne në QSUT, Margarita Gjata, u shpreh në një prononcim për RTSH se kontrolli dhe trajtimi parandalojnë rrezikun nga vdekjet e parakohshme:

“Hipertensioni arterial përfaqëson vrasësin e heshtur më të rrezikshëm, pasi rrallë prania e tij shoqerohet me simptoma të qarta apo shqetësime të rëndësishme që tërheqin vëmendjen. Ndërgjegjësimi publik përbën çelësin e artë për diagnostikimin e hershëm, mbajtjen nën kontroll dhe uljen e komplikacioneve të rënda kardiovaskulare, cerebrale apo sistemike! Sot në diten boterore të Hipertensionit ritheksojmë që matja e saktë e tensionit arterial, kontrolli dhe trajtimi i duhur është domosdoshmëri për të jetuar me gjatë. Shoqata e mjekësisë interne, Insituti i Shëndetit Publik dhe studentët e Fakultetit të Mjekësisë janë të pranishëm në këtë fushatë ndërgjegjësimi. Ritheksojmë që përveç diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm duhen modifikuar faktorët e riskut për HTA, si stili i jetës, mbipesha, inaktivitetti fizik, stresi, pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit. Dita Botërore e Hipertensionit shërben si kujtesë për publikun që të kenë prioritet shëndetin kardiovaskular dhe të ndërmarrin hapa proaktivë për të parandaluar komplikimet e lidhura me hipertensionit.“

Eksperti i Shëndetit Publik (ISHP), Alban Ylli, përmend për herë të parë se çështja e konsumimit të kripës nga shqiptarët po fillon të adresohet.

“Për herë të parë po fillon matja e konsumit të kripës nëpërmjet natriumit në urinë, përmes një kampioni të vogël qytetarësh, kështu që edhe çështja e kripës do të marrë adresimin e duhur, pasi konsumimi i saj është faktor i njohur hipertensioni”, u shpreh ai.

1 në 3 të rritur janë të prekur nga hipertensioni në Shqipëri, ndërsa mes personave të moshuar janë më shumë se gjysma. Studimi sistematik Majit nga ISHP ka rritur zbulueshmërinë, por edhe numrin e atyre që po e mbajnë nën kontroll.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›