Jugu i vendit forcon luftën kundër kanabisit, Gjirokastra dhe Saranda gati planin e ri të masave për vitin 2026

Strukturat e Policisë së Shtetit në jug të vendit kanë nisur një ofensivë të gjerë koordinuese për të mbajtur “të pastër” hartën e rajonit nga kultivimi i lëndëve narkotike. Përmes dy takimeve të njëpasnjëshme ndërinstitucionale të nivelit të lartë në Gjirokastër dhe Sarandë, autoritetet kanë bërë bilancin e vitit 2025 dhe kanë shpalosur strategjinë e re për vitin 2026, e cila do të përfshijë teknologji të avancuar dhe një përfshirje më të gjerë të komunitetit e shkollave.
Gjirokastra, teknologji e avancuar për terrenet e vështira
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Drejtorit Altin Merizaj dhe me praninë e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, Prefektes Albana Hasanaj, Prokurorit Petrit Çano, si dhe përfaqësuesve nga SHISH, OSHEE dhe Zonat e Mbrojtura, u theksua se fenomeni ka njohur një rënie të vazhdueshme falë bashkëpunimit mes institucioneve.
Megjithatë, sfidë mbeten terrenet e thyera malore. Për vitin 2026, strategjia do të fokusohet në identifikimin e zonave me risk të lartë bazuar në historikun e viteve të kaluara.
Përdorimin e metodave të avancuara të monitorimit të territorit për të goditur çdo tentativë që në fazat e hershme (farishte).
Saranda, rekord historik në 2025 dhe vëmendja tek “ambientet e mbyllura”
Nga ana tjetër, Bashkia e Sarandës raportoi një sukses për vitin e kaluar. Në takimin e drejtuar nga Shefi i Komisariatit, Komisar Gëzim Bashllari, në prani të Kryebashkiakut Oltjon Çaçi dhe Zëvendësprefektit Kristaq Kiço, u bë e ditur se gjatë vitit 2025 në këtë territor është evidentuar vetëm 1 rast me 3 bimë narkotike.
Për të mbajtur këtë standard në vitin 2026, plani në qytetin bregdetar do të ketë një qasje të dyfishtë me fokus te “Shtëpitë e Barit”. Policia do të intensifikojë kontrollet jo vetëm në terren të hapur, por edhe për evidentimin e rasteve të kultivimit në ambiente të mbyllura me llamba.
Kanabisi u trajtua si një “problem social” që cenon të ardhmen e komunitetit. Për këtë arsye, u kërkua përfshirja e drejtpërdrejtë e institucioneve arsimore për ndërgjegjësimin e të rinjve përmes fushatave edukative.
Të dyja drejtoritë policore theksuan se çelësi i suksesit afatgjatë mbetet qytetari. Autoritetet bënë thirrje për rritjen e denoncimeve të çdo rasti të dyshimtë, duke garantuar ruajtjen e anonimatit dhe një reagim të menjëhershëm me forcën e ligjit.
/rtsh.al/