KAS vendos rinumërim të votave në qarkun e Tiranës

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur që kutitë e qarkut të Tiranës, në zgjedhjet e 11 majit 2025, të rinumërohen dhe do të rivlerësohen, pas kërkesës së koalicionin Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Në mbledhjen e sotme të KAS, u tha se me kërkesë të dy anëtarëve të komisionit është vendosur hapja e kutive për Tiranën, përfshirë edhe kutitë me vota nga diaspora.
Për shkak të volumit të madh, rreth 1282 kuti votimi, procesi do të kërkojë kohë për t’u organizuar dhe data e nisjes së rinumërimit mbetet ende e pacaktuar.
Sot, KAS nisi shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.48, datë 29.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me objekt: “ 1. Kundërshtimi i Vendimit Nr. 1326, date 24.05.2025, të KSHZ “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 1 maj 2025”. 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku – Tiranë. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Tiranë.
Me shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesën e Koalicionit PD-ASHM për këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë.
Gjithashtu, bazuar në nenin 136, pika 3 e Kodit Zgjedhor, anëtarët Elvis Çefa dhe Ledio Braho kërkuan që të bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë.
“Duke marrë në konsideratë që ky proces kërkon kohë për përgatitjen e logjistikës, fillimi i këtij procesi do të njoftohet në një moment të dytë”, njoftoi KAS. /j.p/