KIEV – Ukraina raporton sulme ruse ndërsa Zelensky bën thirrje për mbështetje

KIEV, 18 tetor /ATSH-DPA/ Ukraina tha sot se kishte zmbrapsur një sulm të madh me dron rus gjatë natës, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky vazhdoi të bënte thirrje për mbështetje nga aleatët perëndimorë të vendit.
Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës tha se kishte zbuluar 135 dronë rusë mbi Ukrainë që nga mbrëmja e djeshme, nga të cilët 80 u rrëzuan.
Rreth 10 prej tyre ishin ende në ajër sot në mëngjes mbi Ukrainën qendrore, ndërsa 44 u zhdukën nga radarët dhe dy thuhet se hynë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë.
Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por ofrojnë një pasqyrë të madhësisë së sulmeve të natës të Rusisë.
Sirenat ranë në kryeqytetin Kiev për më shumë se katër orë gjatë natës, por autoritetet nuk kanë raportuar për dëme apo të plagosur.
Zelensky bëri thirrje sot për “presion të përbashkët ndaj Rusisë” në një postim në X, pasi mori pjesë në një takim të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, një ditë më parë.
“Ne duhet të veprojmë me vendosmëri dhe në unitet për të parandaluar që Putini të fitojë fuqi dhe të nxisë më tej luftën”, shkroi Zelensky në X.
“Vetëm përmes presionit të përbashkët ndaj Rusisë, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, mund të arrijmë sa më shpejt qëllimin tonë për një paqe të vërtetë dhe të drejtë”, tha ai.
Zelensky bëri thirrje për furnizime të mëtejshme dhe pajisje, si dhe armë me rreze të gjatë veprimi – për të goditur objektivat brenda Rusisë – dhe marrëveshje për ndihmë financiare për të forcuar industrinë e mbrojtjes ukrainase.
Ukraina ka luftuar një pushtim të plotë rus për më shumë se dy vjet e gjysmë. //a.i/