KIEV – Zelensky: Integriteti territorial i Ukrainës i përcaktuar në kushtetutë, i panegociueshëm

KIEV, 9 gusht /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi sot se çdo marrëveshje paqeje që përjashton Kievin do të çonte në një “rrugë pa krye” – duke iu referuar takimit të planifikuar midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, sipas AP.
Takimi Trump-Putin, i planifikuar të premten në Alaska shihet si një progres i mundshëm në luftën më shumë se 3-vjeçare.
Trump ka pranuar të takohet me Putinin edhe nëse udhëheqësi rus nuk do të takohej me Zelensky, duke nxitur frikën se Ukraina mund të lihet mënjanë në përpjekjet për të ndaluar konfliktin më të madh të kontinentit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në një deklaratë të postuar në Telegram, Zelensky tha se integriteti territorial i Ukrainës, i përcaktuar në kushtetutë, duhej të ishte i panegociueshëm ndërsa theksoi se paqja e qëndrueshme duhej të përfshinte zërin e Ukrainës në tryezë.
Zelensky tha se Ukraina nuk do t’i jepte tokën e saj Rusisë.
“Çdo vendim që merret pa Ukrainën është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes. Ato nuk do të sjellin asgjë. Këto janë vendime të vdekura. Ato nuk do të funksionojnë kurrë”, tha Zelensky duke folur për shqetësimet e Ukrainës – se një takim i drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Trumpit mund të margjinalizojë interesat e Kievit dhe Evropës.
Zyrtarët ukrainas thanë më herët se Kievi do të ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje paqeje – që “de facto” do të njihte paaftësinë e Ukrainës për të rifituar territoret e humbura ushtarakisht. //a.i/