E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky i bën thirrje BE-së të zhbllokojë paketën e planifikuar të kredisë prej 90 miliardë eurosh

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i kërkoi Bashkimit Evropian të miratojë një paketë kredie prej 90 miliardë eurosh, që aktualisht është bllokuar nga Hungaria.

“Kjo është një garanci e vërtetë financiare e sigurisë dhe qëndrueshmërisë sonë, dhe duhet të zbatohet”, tha sot Zelensky në një video-fjalim drejtuar ligjvënësve të BE-së të mbledhur në Bruksel.

“Falënderoj të gjithë ata që po punojnë për ta bërë këtë të mundur”, tha ai.

Kredia do të kontribuojë ndjeshëm në nevojat financiare të Kievit në vitet 2026 dhe 2027, duke përfshirë 60 miliardë euro të destinuara posaçërisht për ushtrinë e Ukrainës.

Masa e ndihmës fillimisht, pritej të miratohej dje zyrtarisht nga ministrat e Jashtëm të bllokut, pasi të gjithë udhëheqësit e BE-së, përfshirë kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, kishin rënë dakord për kredinë në dhjetor.

Hungaria, e mbështetur nga Sllovakia, vuri veton ndaj ndihmës financiare, duke përmendur si justifikim ndalimin e furnizimeve të naftës ruse përmes tubacionit “Druzhba”,  që kalon përreth Ukrainës.

Ata akuzojnë Kievin se ka bllokuar qëllimisht tubacionin për arsye politike.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas thanë se ndërprerja e furnizimit me naftë që nga fundi i janarit, ishte rezultat i bombardimeve ruse.

Hungaria gjithashtu refuzoi të miratojë paketën e 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Në fjalimin e tij, Zelensky i bëri thirrje sërish bllokut, të caktonte një datë konkrete për pranimin e Ukrainës në BE.

“Pa një afat kohor të qartë, presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet të pengojë anëtarësimin e Ukrainës në BE për dekada, duke e ndarë BE-në, duke e ndarë Evropën”, tha Zelensky. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›