KINEMA – Bashkautori i filmit të nominuar për çmim “Oscar” arrestohet në Iran

TEHERAN, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Mehdi Mahmoudian, bashkautori i filmit (triller) politik të nominuar për çmim “Oscar”, “It Was Just an Accident” është arrestuar në Iran, raportoi sot portali i lajmeve “Emtedad”.
Sipas raportit, Mahmoudian ka mundur të kontaktojë familjen e tij pasi është marrë në paraburgim. Duke cituar avokatin e tij, raporti tha se akuzat kundër tij nuk dihen ende.
Një arsye e mundshme për arrestimin e tij mund të jetë një letër që ai nënshkroi së bashku me figura të tjera publike, duke dënuar shtypjen e përgjakshme të protestave nga Irani në fillim të janarit.
Qeveria gjermane e dënoi arrestimin e Mahmoudian – duke e quajtur atë një sulm ndaj lirisë artistike.
“Arrestimi i Mehdi Mahmoudian nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sistemi që synon të heshtë zërat kritikë”, tha ministri i shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer në një deklaratë.
“Ata që burgosin autorët nuk luftojnë artin, por lirinë”, shtoi ai.
“Regjimet autoritare kanë frikë nga një publik kulturor sepse ai e bën realitetin të dukshëm. Pikërisht për këtë arsye ata i përgjigjen vëmendjes ndërkombëtare me shtypje. Ne nuk duhet ta pranojmë këtë logjikë”, tha Weimer.
Weimer theksoi rolin e medias së pavarur, veçanërisht të “Deutsche Welle”, e cila vazhdon të raportojë në mënyrë gjithëpërfshirëse mbi situatën në Iran pavarësisht përpjekjeve të rëndësishme për censurë dhe frikësim. //a.i/