E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Clooney merr nënshtetësinë franceze

PARIS, 29 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ylli i Hollivudit, amerikani George Clooney, gruaja e tij Amal Alamdin Clooney dhe dy fëmijët e tyre morën nënshtetësinë franceze, sipas një dekreti të botuar në ”Gazetën Zyrtare”.

I zbuluar nga ”Paris Match”, ky dekret ka të bëjë me çiftin e famshëm dhe binjakët e tyre tetëvjeçarë.

Larg Hollivudit, aktori, i njohur për rolet e tij ikonike në serialin “ER” dhe filmat “Ocean’s”, dhe gruaja e tij libanezo-britanike, avokate me profesion, kalojnë një pjesë të jetës së tyre në Francë.

“E dua kulturën franceze, gjuhën, edhe nëse jam ende po aq keq pas 400 ditë mësimesh”, i rrëfeu aktori dhe regjisori 64-vjeçar RTL në fillim të dhjetorit.

Çifti bleu një shtëpi fshati dhe një vresht në Brignoles, në vitin 2021.

“Këtu, askush nuk u bën fotografi fëmijëve tuaj. Nuk ka paparacë që fshihen jashtë portave të shkollës. Kjo është thelbësore për ne”, shtoi ai në të njëjtin stacion radiofonik.

Edhe pse familja Clooney nuk e kalon gjithë kohën në jug të Francës, kjo pronë është “vendi më i lumtur për ne”, kishte deklaruar aktori, i cili fitoi një Oscar për ”Syriana” (2005).

Ndërkohë, bashkëkombësi i tij amerikan, regjisori Jim Jarmusch, njoftoi në radion France Inter të premten qëllimin e tij për të aplikuar për shtetësi franceze.

“Do të doja të kisha një vend tjetër ku mund të largohem nga Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai, duke shpjeguar tërheqjen e tij ndaj “kulturës franceze”./  a.jor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›