KINEMA – Vdes Marjane Satrapi, zëri i lirisë iraniane dhe autorja e “Persepolis”

PARIS, 4 qershor /ATSH-AFP/ – Shkrimtarja, ilustratorja, regjisorja dhe aktivistja franko-iraniane Marjane Satrapi, e njohur në mbarë botën për romanin grafik dhe filmin “Persepolis” ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçe konfirmoi Pallati Elysee në Paris.
Në një deklaratë, presidenca franceze e përshkroi Satrapin si “një figurë të shquar të kulturës franceze dhe një artiste të përkushtuar ndaj lirisë”, duke theksuar se vepra e saj përcolli një mesazh universal dhe i solli famë ndërkombëtare.
Botuar për herë të parë në vitin 2000, “Persepolis” rrëfen historinë e autores gjatë fëmijërisë së saj në Teheran, në periudhën e revolucionit islamik dhe pasojave të tij. Adaptimi kinematografik i vitit 2007, i bashkëregjisuar nga Satrapi, u nominua për çmimin “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë të animuar.
Sipas agjencisë AFP, një person i afërt me familjen tha se Satrapi “vdiq nga trishtimi”, pak më shumë se një vit pas humbjes së bashkëshortit të saj, producentit dhe skenaristit suedez Mattias Ripa.
Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri homazh artistes, duke e cilësuar atë si “një krijuese të madhe që e shndërroi fëmijërinë e saj iraniane në një fabul universale”.
Satrapi ishte një kritike e hapur e regjimit iranian. Përmes “Persepolis”, ajo solli për publikun ndërkombëtar jetën nën kufizimet e vendosura pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe më pas përvojën e saj si emigrante në Evropë.
Në një intervistë për “The Guardian” në vitin 2024, ajo kishte deklaruar se qëllimi i veprës ishte t’u tregonte lexuesve perëndimorë se iranianët janë “qenie njerëzore si të gjithë të tjerët”.
Përveç veprimtarisë artistike, Satrapi u angazhua fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të grave në Iran. Ajo mbështeti protestat e vitit 2022 pas vdekjes së Mahsa Amini dhe botoi librin grafik “Woman, Life, Freedom”, kushtuar lëvizjes protestuese.
Gjatë karrierës së saj filmike, Satrapi realizoi edhe filmat “The Voices”, me protagonist Ryan Reynolds, si dhe “Radioactive”, një biografi kushtuar shkencëtares Marie Curie, ku luante Rosamund Pike.
Në një nga intervistat e saj të fundit për BBC-në në vitin 2024, Satrapi kishte thënë: “Nëse e largoni artin dhe kulturën nga një shoqëri, ajo shoqëri rrëzohet”.
Vdekja e saj ka ngjallur reagime të shumta në Francë dhe më gjerë, ku ajo kujtohet jo vetëm si artiste e talentuar, por edhe si një zë i fuqishëm në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të njeriut. /Ad.Ab./