KLP voton më 9 dhjetor për drejtorin e ri të BKH-së

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) njoftoi sot se drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) do të votohet në datën 9 dhjetor, ora 11:00.
Komisioni i Përzgjedhjes në mbledhjen e datës 26 nëntor, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Evropian, vendosi t’i rekomandojë KLP-së, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, Joni Ketën, për një mandat 5-vjeçar.
Anëtarët e KLP-së përpara se të votojnë do shqyrtojnë pikët që kanë marrë gjatë garës edhe të tjerët si dhe kushtet formale.
Në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit, më parë ka qenë Aida Hajnaj, e cila ushtroi detyrën nga 1 shtatori 2020, deri në 1 shtator 2025.
Misioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit është mbrojtja e interesit të shtetit dhe qytetarëve shqiptar, duke garantuar zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
/m.q/r.e/a.f/